Ish-deputeti i PS-së Petro Koçi, i ftuar në emisionin Minuta e parë në News24 komentoi dënimet e ish-krerëve të UÇK-së.

Koçi theksoi se Haga sot ka vepruar sikur të ishte një Gjykatë e Serbisë.

Sipas tij, vendimi është fyer dhe vrastar për kombin shqiptar. Koçi nënvizoi se gjykata nuk dënoi krerët e UÇK-së as për atë që pretendohej në fillim, për trafik organesh, por devijoi rrugës.

“E kisha frikën e dënimit, por jo në këtë masë. Ky dënim në këtë lloj masë ishte i papritur. Populli shqiptar ndihet i fyer. Është indinjatë e thellë të dëgjosh argumentimin e gjykatës, thanë gjasme në emër të popullit të Kosovës ose shprehjet “qëllimi kriminal i përbashkët”, prekin sedrën e popullit, të të gjithë atyre që kanë luftuar në UÇK.

Shprehja e gjykatës “në emër të popullit të Kosovës” është ironi vrastare. Shqiptarët gjatë luftës ishin nën një proces të pastrimit etnik të egër. Vendimi është politik më shumë sesa gjyqësor. Është përpjekje e revanshit serb dhe rus për të bërë pis luftën e shqiptarëve. M’u duk si Gjykatë Serbie dhe jo ndërkombëtare. Është dhe fitore e Milloheviçit, e Mlladiç etj, që tani janë në varr. Procesi ka qenë në bashkëpunim me autoritetet serbe, që janë në konflikt interesi, sepse janë të interesuar të dënohen komandantët e UÇK-së. Është një ironi vrastare e kriminale. Mund të zgjidhet çështja edhe me referendum në Kosovë, sepse është gjykatë që ka tejkaluar edhe pretendimet e veta, sepse flitej për trafik organesh e tani përfundoi me ato që dëgjuam sot. Populli në Kosovë ta zhbëjë këtë gjykatë me referendum”, deklaroi Koçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: