Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 përballë gazetares Ola Bruko, ka lëshuar akuza të forta lidhur me vendimin e dhënë nga Gjykata Speciale e Hagës kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Milo e cilësoi vendimmarrjen si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj tullave të themelit të shtetësisë së Kosovës, duke nënvizuar se procesi nuk është thjesht juridik, por i ngarkuar me prapaskena të thella gjeopolitike.

Gjatë analizës së tij, ish-diplomati shqiptar theksoi se pasojat e këtij dënimi do të tronditin të gjithë rajonin, ndërsa vuri në dukje se po tentohet të zhbëhet një ushtri çlirimtare që solli lirinë e një populli të tërë. “Ky vendim do të ketë ndikim të madh jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, nuk kemi të bëjmë vetëm me disa persona, por me një institucion historik që ka prodhuar një pavarësi të një vendi që është sovran dhe që vihet në dyshim”, deklaroi Milo në studio.

Më tej, Paskal Milo u ndal te loja e fuqive të mëdha dhe kompromiset diplomatike në kurriz të shqiptarëve, duke akuzuar hapur se drejtuesit e UÇK-së u sakrifikuan për llogari të interesave rajonale.

“Fati i individëve lidhet me ngjarje historike, por ai fat i personave të veçantë nuk mund të zhbëhet për shkak të konjukturave jo vetëm politike, por edhe ndërkombëtare dhe politikave jo gjithnjë objektive që fuqitë e mëdha bëjnë duke u nisur nga interesat e tyre rajonale. Nuk ka pse udhëheqësit e UÇK-së të bien viktimë e këtyre makinacioneve politike të cilat nuk i shërbejnë as atyre që i kanë inskenuar, por as stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajon për të cilin ata janë investuar dhe sot ende flasin”, përfundoi ish-ministri i Jashtëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb