Finalizohet një operacion antidrogë në Korçë, në kuadër të të cilit janë arrestuar tre persona dhe janë sekuestruar rreth 6 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Operacioni është zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Strukturat e Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë. Sipas burimeve, në pranga kanë rënë tre të rinj, Sulejman Tota, Julian Prendushi
Blert Hasani, dy prej tyre me origjinë nga Tirana dhe një nga Lezha, të cilët dyshohet se po transportonin lëndën narkotike me automjet.
Tre personat udhëtonin së bashku në një makinë, e cila është ndaluar nga policia në afërsi të Qafë Thanës. Gjatë kontrollit të automjetit, në pjesën e bagazhit është gjetur një sasi prej rreth 6 kilogramësh lëndë narkotike.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të njërit prej pasagjerëve është gjetur edhe një qese tjetër me lëndë narkotike, e cila mbahej në xhep.
Përveç lëndës narkotike, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe automjetin, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe disa aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe përcaktimin e rolit të secilit prej tre personave të arrestuar.
Njoftimi:
Transportonin 5.7 kg lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, kapen në flagrancë në aksin rrugor “Prrenjas-Pogradec” dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike, 2 automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 1 jave, për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Korçë, finalizuan operacionin e koduar “Ngarkesa”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. T., 27 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. H., 25 vjeç, banues në Shëngjin.
Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Prrenjas-Pogradec”, duke qarkulluar një automjet me karroceri që drejtohej nga shtetasi J. P. Në karroceri ishte ngarkuar nje automjet tip “Volkswagen”, në bagazhin e të cilit, në vendin e gomës rezervë, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë 5. 7 kg.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. T. iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
