Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla zhvilloi një debat të ashpër me deputetin e partisë Mundësia, Erald Kapri.
Kapri kishte thënë më herët se për deklaratën për UÇK-në në votim duhet të jetë i pranishëm edhe kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj. Balla i tha se “është një hall i madh që të jetë edhe Shehaj në votim”.
Ndërkohë, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit të Mundësia, Erald Kapri, i cili theksoi se Balla dhe mazhoranca dje lëshoi lot krokodili. Ndër të tjera Kapri tha se mazhorancës i ka dalë boja me protestat e të rinjve që prej 110 ditësh protestojnë kundër qeverisë.
Taulant Balla: Mund të jemi i vetmi parlament në botë, që pasi bëjmë votimin, i kthehemi dhe njëherë diskutimit. Unë sqarova pse çështja duhet të jetë në rendin e ditës. Pasi bëhet votimi, nuk ka më diskutim. Kërkesa e PD për projektligjin u diskutua dhe u rrëzua. Del një deputet dhe thotë se duhet të jetë Agron Shehaj në parlament që të votojë dhe ai, deri këtu arrin. Kur thuhet se mos votoni deklaratën për Kosovën se mungon Agron Shehaj, të vjen dy herë të plasësh.
Erald Kapri: Elita këtu dhe Edi Rama ka dashur që Thaçi të dënohet dhe ka lot krokodili. Dalin këtu e flasin me gjuhë dhune kundër opozitës. Çfarë janë këto deklarata? Duhen para, duhet buxhet që të mbrohet çështja e UÇK-së në Apel. Sa do harxhojmë për të mbrojtur për kauza të kombit shqiptar? Duhet ta marrin seriozisht, dalin këtu dhe flasin me gjuhë urrejtje. Vijnë fshehtas në parlament se kanë frikë nga vezët e protestuesve. Ka dalë rinia në shesh e ju ka dalë boja.
