Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kundërshtuar në Kuvend projektligjin e propozuar nga mazhoranca për pagat e magjistratëve.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Bardhi deklaroi se çështja nuk lidhet vetëm me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por me respektimin e Kushtetutës dhe pavarësinë e pushteteve.

Sipas tij, mazhoranca po vijon të mos zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me trajtimin financiar të magjistratëve.

“Ju keni vendosur jo të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni vetë shtetin. Të sfidoni rendin kushtetues në vend”, deklaroi Bardhi.

Ai u shpreh se projektligji, i cili parashikon ndryshimin e referencës së pagës nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit, nuk përmbush sipas tij standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.

Bardhi argumentoi se ndryshimi i propozuar sjell një rritje prej rreth 5.6%, ndërsa, sipas interpretimit të tij të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përshtatja duhet të marrë në konsideratë ndryshimet e pagave të kategorive të tjera të funksionarëve publikë dhe zhvillimin e kostos së jetesës.

“Nuk është çështje page. Nuk është çështje formule. Nuk është çështje e një kategorie punonjësish. Është çështje e një parimi themelor, kush është mbi kë? A është Kushtetuta mbi pushtetin politik? Apo pushteti politik mbi Kushtetutën?”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se prej vitesh ka ndërhyrë në mënyrën e përcaktimit të trajtimit financiar të magjistratëve, duke theksuar se pavarësia e pushtetit gjyqësor lidhet edhe me garancitë financiare.

Sipas Bardhit, magjistratët nuk po kërkojnë një rritje të re page, por zbatimin e standardit të përcaktuar nga kuadri ligjor i Reformës në Drejtësi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb