I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka sfiduar pretendimin e presidentit rus Vladimir Putin se Rusia mund të pushtojë të gjithë Donbasin brenda pak muajsh. Debati është zhvilluar gjatë takimit që Kushner dhe i dërguari tjetër amerikan, Steve Uitkoff, patën me Putinin në Kremlin më 5 shtator, sipas “The New York Times”.
Gjatë takimit, Putin tha se është i bindur se forcat ruse do të arrijnë të marrin nën kontroll të gjithë Donbasin brenda disa muajsh. Presidenti rus ka deklaruar gjithashtu se Moska është e gatshme të godasë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, çka mund të rëndojë situatën në vend gjatë dimrit.
Kushner ka vënë në pikëpyetje vlerësimin e presidentit rus, duke i kujtuar se një pretendim të ngjashëm ishte bërë edhe një vit më parë.
“Me gjithë respektin, të njëjtën gjë na thatë edhe një vit më parë. Sa janë gjasat që të kthehemi këtu pas një viti dhe ju të na thoni përsëri të njëjtën gjë? Ndoshta nuk duhet ta humbim një vit?”, i është përgjigjur Kushner.
Putini ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të tërhiqet nga territoret e Donbasit që ende nuk janë pushtuar nga forcat ruse. Pikërisht kontrolli mbi këto territore mbetet një nga çështjet kryesore që pengon arritjen e një marrëveshjeje.
Pas takimit në Moskë, Kushner dhe Uitkoff udhëtuan drejt Kievit, në kuadër të përpjekjeve diplomatike amerikane për të nxitur negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës. Më 8 shtator, Trump zhvilloi një bisedë me Putinin, ndërsa një ditë më vonë e përshkroi komunikimin si “të shkëlqyer” dhe tha se presidenti rus ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje paqeje.
Kushner foli më vonë për çështjen territoriale gjatë një konference në Kiev, ku tha se Putin kishte paraqitur vijën territoriale që Moska kërkon të arrijë. Sipas tij, Ukraina aktualisht nuk është e gatshme të tërhiqet deri në atë vijë.
“Nëse Ukraina do të dëshironte të tërhiqej deri në atë pikë, atëherë, padyshim, do ta kishim pjesën tjetër të marrëveshjes të dakordësuar dhe të përgatitur. Ukraina aktualisht nuk e dëshiron këtë”, deklaroi Kushner.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një “zgjidhje kreative” për mosmarrëveshjen territoriale, me synimin për t’i hapur rrugë përparimit të negociatave.
