Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim me drejtues dhe punonjës të Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, të cilët i falënderoi për angazhimin dhe sakrificën e tyre në përballimin e situatave emergjente gjatë sezonit të zjarreve dhe gjatë gjithë vitit.
Ministri Demo vlerësoi rolin e zjarrfikësve në garantimin e sigurisë së qytetarëve, duke theksuar se shërbimi zjarrfikës përballet jo vetëm me zjarret, por edhe me një numër të lartë emergjencash të tjera, nga aksidentet rrugore deri te ndërhyrjet në situata të ndryshme rreziku.
“Në ADN-në e trupave të zjarrfikëses është shërbimi ndaj qytetarëve. Është një profesion që, në momentin që kjo ndjenjë ekziston, ajo çfarë ju jepni si impakt në territor është e jashtëzakonshme”, u shpreh ministri Demo.
Duke u ndalur te specifikat e Tiranës, ministri vuri në dukje rëndësinë e forcimit të strukturave vullnetare, veçanërisht në zonat periferike të bashkisë, për të përballuar më mirë situatat emergjente.
“Tirana është një bashki e madhe dhe nuk është vetëm një zonë urbane. Trupat vullnetare, sidomos në rrethinat e Tiranës, kanë një rol akoma edhe më të rëndësishëm”, tha Demo, duke sjellë si shembull modelin e organizimit të shërbimit vullnetar të zjarrfikësve në Austri.
Ministri theksoi gjithashtu se përballimi i emergjencave kërkon bashkëpunim të ngushtë mes bashkive dhe strukturave shtetërore, duke vlerësuar solidaritetin e zjarrfikësve të Tiranës në ndërhyrjet përtej territorit të kryeqytetit.
“Kemi pasur zjarre në bashki të ndryshme në vend, ku ju keni marrë pjesë dhe keni luftuar bashkë me kolegët tuaj, duke mbrojtur ato komunitete, duke ruajtur pasurinë publike dhe private”, u shpreh ai.
Demo vlerësoi punën e bërë për forcimin e shërbimit zjarrfikës në kryeqytet, jo vetëm përmes rritjes së kapaciteteve njerëzore, por edhe përmes përmirësimit të aftësive profesionale dhe bazës logjistike.
“Më vjen shumë mirë që në kryeqytetin tonë ky shërbim, ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, është duke u përforcuar, jo thjesht duke rritur numrat, por dhe duke rritur aftësitë profesionale dhe logjistikën mbështetëse”, tha ministri.
Një tjetër fokus i diskutimit ishte nevoja për të kaluar nga një qasje e përqendruar vetëm te reagimi ndaj zjarreve, drejt një politike më të fortë parandaluese. Demo tha se Ministria e Punëve të Brendshme do të punojë me bashkitë dhe strukturat e Emergjencave Civile për një plan më të qartë për sezonin e ardhshëm.
“Ne duhet të bëjmë shumë më tepër që të minimizojmë rastet ku ndërhyrja e zjarrfikësve është e nevojshme. Kjo ka të bëjë me menaxhimin e pyjeve, kullotave dhe gjithë masave të tjera që duhet të ndërmarrim”, theksoi ai.
Sipas ministrit, në bashkëpunim me Drejtoritë e Emergjencave dhe të gjitha bashkitë e vendit, do të hartohet një plan i përbashkët për përgatitjen e sezonit të ardhshëm të zjarreve, me synim rritjen e gatishmërisë dhe minimizimin e situatave të rrezikshme.
Në përfundim të takimit, ministri Demo shprehu mirënjohjen për zjarrfikësit dhe familjet e tyre, duke vlerësuar kurajon dhe vetëmohimin e tyre në përmbushjen e misionit.
“Në thelb të këtij shërbimi jeni ju, janë zjarrfikësit, të cilët shpeshherë edhe me vetëmohim dhe me një kurajo përtej atyre vlerave normale, janë gati të vetësakrifikohen për të ndihmuar qytetarët që janë në rrezik”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme.
