Presley Gerber, djali i supermodeles Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare. Sipas TMZ, Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut të Los Anxhelosit ka konfirmuar se Presley vdiq të dielën, më 20 shtator, në një qendër rehabilitimi. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur. Presley Gerber kishte ndjekur prej vitesh trajtim për probleme të shëndetit mendor, ndërsa kishte folur publikisht edhe për vështirësitë personale me të cilat ishte përballur.

Muajin e kaluar, motra e tij, modelja Kaia Gerber, 24 vjeç, tregoi për Vogue se problemet e vëllait të saj, përfshirë përdorimin e drogës dhe çështjet e shëndetit mendor, kishin ndikuar te e gjithë familja. “Kur diçka e tillë ndodh brenda një familjeje, në një farë mënyre i prek të gjithë dhe i sjell në të njëjtin nivel”, ishte shprehur Kaia.

Presley Gerber e nisi karrierën si model që në moshën 15-vjeçare dhe gjatë viteve punoi me disa prej emrave të njohur të industrisë së modës, përfshirë Dolce & Gabbana dhe Calvin Klein. Që në moshë të re, ai kishte folur për vështirësitë e tij me shëndetin mendor. Në vitin 2019, ai u arrestua për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit. Në nëntor të vitit të kaluar, Presley njoftoi se do të shkëputej për një periudhë nga rrjetet sociale për t’u fokusuar te shëndeti i tij mendor. Një muaj më vonë, ai foli hapur për gjendjen e tij përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale. Presley tregoi se po merrte medikamente për “tmerret e natës” dhe “sulmet e panikut”, ndërsa tha se kohët e fundit kishte përjetuar disa humbje në forma të ndryshme.

“Fatkeqësisht, kohët e fundit kam përjetuar shumë humbje, në forma të ndryshme. Nuk është justifikim, por është arsyeja pse jam aty ku jam sot”, ishte shprehur ai.

Mesazhi prekës për babain
Vetëm pak muaj më parë, Presley kishte ndarë në Instagram një mesazh prekës për babain e tij, Rande Gerber, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që i kishte dhënë gjatë gjithë jetës. “Kam babanë më të mirë në botë. Ai nuk më ka braktisur kurrë. Ai është gjithmonë aty për mua”, kishte shkruar Presley, duke e përshkruar të atin si një person që e kishte ndihmuar dhe këshilluar gjithmonë.

Cindy Crawford kishte reaguar në koment me fjalët “Djemtë e mi!”, ndërsa Rande Gerber i ishte përgjigjur të birit se do ta donte gjithmonë. Presley kishte folur vazhdimisht për problemet e tij të shëndetit mendor, duke thënë se ato kishin nisur që në moshë shumë të re. Në një intervistë në vitin 2023, ai kishte deklaruar se shëndeti mendor ishte një pjesë e madhe e jetës së tij dhe se dëshironte të ndihmonte njerëzit që përballeshin me depresion apo probleme të tjera. Shkaku i saktë i vdekjes së 27-vjeçarit nuk është bërë ende publik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: