Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, ka kritikuar mënyrën se si u zhvillua konsultimi për ligjin e ri për pagat e magjistratëve, duke deklaruar se përfaqësuesit e gjyqësorit u ftuan në Komisionin e Ligjeve vetëm 15 minuta para mbledhjes.
Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, Hoxha tha se nuk kishte pasur konsultim paraprak me Unionin e Gjyqtarëve, por se ata morën pjesë për respekt të qytetarëve. Duke folur për formulën e re të pagave, kreu i Unionit të Gjyqtarëve tha se ajo, sipas tij, nuk garanton përfitimet e përcaktuara më herët dhe bie ndesh me parimet kushtetuese. “Formula duhet të ruajë përfitime të garantuara nga formula e mëparshme. Formula e re e pjesëton me 10 atë të drejtë që na ka dhënë Kushtetuesja. Pra është 10 herë më e vogël”, deklaroi ai.
Hoxha theksoi se duhet të ruhet dinjiteti i institucioneve të drejtësisë dhe ngriti shqetësimin për ndikimin e inflacionit te pagat e magjistratëve. Sipas Hoxhës, Unioni i Gjyqtarëve ka përgatitur një draft alternativ, për të cilin ai thotë se mund të sigurojë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Hoxha u shpreh gjithashtu optimist për mundësinë e dialogut, duke deklaruar se diskutimet mund të sjellin ndryshim të qëndrimeve. Në lidhje me propozimin për renditjen e pagave në sistemin e drejtësisë, Hoxha shpjegoi se drafti i tyre synon krijimin e një hierarkie pagash, ku në krye do të jetë Gjykata Kushtetuese.
“Ftesa në Komision të Ligjeve na erdhi çerek ore para. Nuk pati konsultim me ne më parë. Por ishte parimisht dhe ne shkuam për respekt të shqiptarëve. Formula duhet të ruajë përfitime të garantuara nga formula e mëparshme. Formula e re e pjesëton me 10 atë të drejtë që na ka dhënë ne Kushtetuesja. Pra është 10 herë me e vogël. Duhet të ruhet dinjiteti i institucioneve të drejtësisë. Paga jonë, nga 2019 është ulur me 19% për shkak të inflacionit dhe nuk janë kompensuar. Ne kemi një draft gati që mund të sigurojë kënaqjen e të gjitha palëve. Duhet të jemi të qartë diku. Ligji nuk duhet të kënaqë interesat e palëve, por Kushtetutën. Gjatë dialogut do të kemi çfarë të mësojmë nga njëri-tjetri, dhe besoj se qëndrimi i tij do të ndryshojë. Ligji ynë synon që të bëjë një rankim pagash, ku kryeson Gjykata Kushtetuese. Këtu në këtë formulë nuk përfshihet GJKKO, për shkak të rolit të saj historik. Ne nuk duam të shpikim rrotën, ajo është shpikur 500 mijë vite më parë.”, tha ai.
