“Mos ëndërroni më që ka shtet, këtu nuk ka asgjë më”! Kështu u shpreh deputeti i PD, Tomor Alizoti gjatë debateve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve duke iu referuar masës së SPAK ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni e cila dyshohet se ka favorizuar Ergys Agasin, gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim.

Alizoti u shpreh me tone të ashpra për gjendjen e institucioneve duke thënë: “Mos ëndërroni më që ka shtet, këtu nuk ka asgjë më”. Alizoti foli edhe për debatin e nxehtë lidhur me reformën territoriale ku parashikohet shkrirja e 15 bashkive, duke deklaruar se padrejtësitë më të mëdha në Shqipëri janë bërë në emër të ligjit. Ai shtoi se socialistët nuk e kuptojnë konceptin e ligjit por po veprojnë se ashtu e do kryeministri.

Tomor Alizoti: Me traditën e vendit tonë, ligji është instrument represiv, ka qenë në dorë të të fortit, ligji nuk ka qenë asnjëherë realizimi i lirisë dhe arsyes në këtë vend. Ka qenë i të fortëve. Quaj në këtë rast të shumicës. Ju do ta miratoni këtë ligj. Ju nuk do të shkoni tek arsyeja, por do të shkoni tek forca. Dhe ligji në këtë rast i cili do të ndëmarrë një reformë mbi njerëzit, rreth njerëzve, pa pyetur njerëzit, është një dëm i madh. Dhe padrejtësitë më të mëdha në këtë vend janë bërë në emër të ligjit. Prandaj ky komision ka një vlerë shumë të rëndësishme, por kam përshtypjen se një pjesë e madhe nuk e kuptojnë konceptin filozofik të ligjit, çfarë është ligji në vetvete, por e do kryetari dhe turren pas kryetarit.

Në Shqipëri epshi i ligjit është vetë ligji, thyen çdo lloj ligji. Çfarë të diskutoj unë? Më vjen keq për zonat që preken në qarkun tim. Ju do ta merrni këtë vendi, kjo është një hartë elektorale, por të paktën për një vend që pretendon të jetë pjesë e një bashkësie ku individi gëzon të drejtat më të mëdha që është BE, duhet të pyeteshin, duhet të bëhej një referendum e duan apo jo. Këto që them janë të logjikshme, nuk ka të bëjë se jam opozitar, bëhej një referendum dhe pyetej… referendumi e mbyllte këtë diskutim.

Të flasim për shtet ligjor në një vend, ku edhe drejtori i SHISH është i lidhur me këta… mos ëndërroni më që ka shtet, as komision, këtu nuk ka asgjë më…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb