Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul do të vizitojë sot Kanadanë, gjatë një ndalese në Otavë, në kuadër të udhëtimit të tij për pjesëmarrjen në Debatin e Përgjithshëm të OKB-së në Nju Jork.

Në Otavë, Wadephul do të zhvillojë takime të veçanta me ministren e Jashtme kanadeze Anita Anand, ministrin e Mbrojtjes David McGuinty dhe ministrin e Tregtisë Ndërkombëtare, Maninder Sidhu.

Sipas një zëdhënëseje të Ministrisë së Jashtme gjermane, bisedimet do të përqendrohen te forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe mbrojtje, si edhe te teknologjitë e reja, me synimin për të krijuar një partneritet strategjik afatgjatë mes Gjermanisë dhe Kanadasë.

Këtë vit, Gjermania dhe Kanadaja shënojnë 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike.

Në bisedime pritet të përfshihet edhe propozimi i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që Kanadaja të bëhet “anëtare e asociuar” e Bashkimit Evropian.

Von der Leyen ka përmendur si fusha të mundshme të bashkëpunimit më të ngushtë teknologjinë, prodhimin e pajisjeve të mbrojtjes, inteligjencën artificiale dhe politikat për Arktikun.

Kryeministri kanadez, Mark Carney ka thënë se është i hapur ndaj idesë së një forme të veçantë anëtarësimi në BE për Kanadanë, pavarësisht kundërshtimit të presidentit amerikan Donald Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: