Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për mbështetje urgjente financiare për Ukrainën, duke paralajmëruar se Kievi përballet me një boshllëk prej rreth 27 miliardë dollarësh për financimin e mbrojtjes.
Në një konferencë për gazetarët të martën, Zelensky tha se nëse fondet nuk sigurohen në muajt tetor dhe nëntor, Ukraina mund të përballet me mungesa të konsiderueshme të dronëve dhe raketave që në fillim të vitit të ardhshëm.
“Rreth një e treta, ose ndoshta pak më shumë, e këtyre fondeve nevojiten për dronë në janar, shkurt dhe mars”, deklaroi presidenti ukrainas, duke theksuar nevojën për porositjen dhe financimin e tyre që tani.
Zelensky i ka kërkuar Komisionit Evropian të përshpejtojë lirimin e këstit të dytë të një kredie prej 90 miliardë dollarësh, e cila synon të ndihmojë Ukrainën të financojë nevojat e saj të mbrojtjes dhe buxhetit.
Sipas presidentit ukrainas, Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë të qartë rëndësinë e mbështetjes financiare për Kievin, veçanërisht në kushtet e vazhdimit të luftës.
“Ukraina nuk mund të jetë vetëm dhe nevojiten më shumë investime në dronë dhe raketa të prodhuara në Ukrainë”, tha Zelensky.
Ai bëri me dije se kishte marrë një përgjigje pozitive nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa diskutimet për financimin pritet të vijojnë së shpejti në Ukrainë ose në Bruksel.
Paralajmërimi i Zelenskyt vjen në një moment kur Kievi po kërkon të sigurojë paraprakisht furnizimet ushtarake për muajt e dimrit, ndërsa dronët dhe raketat janë bërë një komponent gjithnjë e më i rëndësishëm i luftës me Rusinë.
