Një bashkëpunim mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe agjencive partnere ndërkombëtare ka çuar në arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Aksioni u realizua nga Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Në pranga ra shtetasi ukrainas A. S., 53 vjeç, i cili u ndalua nga shërbimet e policisë menjëherë pasi zbriti në aeroportin e Rinasit. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike si pjesë e një organizate kriminale.
Aktualisht, Policia e Shtetit po vijon punën me agjencitë partnere për hetimin e mëtejshëm të aktivitetit të këtij anëtari të organizatës kriminale. Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët ukrainas për fillimin e procedurave ligjore të ekstradimit të tij drejt Ukrainës. Policia e Shtetit falënderoi agjencitë partnere për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në Shqipëri.
