Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe kanë dokumentuar rrethanat e plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 25 shtator 2026 në rrugën “Hysni Gërbolli”.
Nga verifikimet hetimore dyshohet se gjatë një konflikti në një lokal, shtetasi S. P., 54 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri duke plagosur në këmbë shtetasin Gj. K., 33 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Policia ka shpallur në kërkim 54-vjeçarin për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të dyshuarit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë gjahu, një mjet prerës dhe municion luftarak.
Gjatë verifikimeve të kryera për personat e përfshirë, rezultoi se i dëmtuari Gj. K. ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës. Ndaj 33-vjeçarit u ekzekutua arrestimi me qëllim ekstradimi, pasi Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 50 ditë burgim për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Hetimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e personave të tjerë në konfliktin me sende të forta. Policia arrestoi në flagrancë shtetasin S. T., 20 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”, pasi dyshohet se ka dëmtuar shtetasin A. P., 18 vjeç.
Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, të cilët dyshohen se kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin S. T. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B. P. u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për ndjekjen e mëtejshme të çështjes.
