Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga New York-u protestat kundër qeverisë dhe kundërshtimet për projektin turistik të Zvërnecit dhe Sazanit.
Gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Staten Island, Rama kritikoi ashpër kundërshtarët e projektit, duke i akuzuar se kanë ushqyer debatin publik me, sipas tij, gënjeshtra dhe manipulime.
Rama e cilësoi projektin si “të famshëm, por edhe famëkeq”, duke thënë se kjo është pasojë e asaj që ai e përshkroi si “shumë gënjeshtra, manipulime, denigrime dhe politizime”.
Kryeministri u ndal veçanërisht te informacionet që qarkullojnë në rrjetet sociale, duke përdorur tone të forta ndaj personave që kundërshtojnë projektin.
“Rreziqet që prodhohen orë e çast në rrjetet sociale nga lloj-lloj sharlatanësh dhe manipuluesish”, tha Rama.
Ai deklaroi se qeveria po punon për një studim të detajuar të impaktit mjedisor, me synimin për të përcaktuar se cilat janë rreziqet reale të projektit.
Sipas Ramës, projekti i Zvërnecit, së bashku me atë të Sazanit, ka potencial të sjellë një ndikim të konsiderueshëm ekonomik, ndërsa vetëm projekti në Zvërnec, sipas tij, mund të gjenerojë mbi 4 miliardë euro.
Kryeministri theksoi se ambicia për zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë duhet të shoqërohet me vlerësim të kujdesshëm të ndikimit në mjedis, duke e cilësuar këtë si një nga çështjet kryesore që po studiohet për projektin.
