Eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj ka reaguar pas publikimit nga grupi i hakerëve “Homeland Justice” të materialeve që pretendohet se përmbajnë lista me numra telefoni të punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Semanaj ngre shqetësimin se, nëse të dhënat rezultojnë autentike, bëhet fjalë për një situatë që shkon përtej një rrjedhjeje të zakonshme informacioni dhe mund të cenojë sigurinë e agjentëve, burimeve dhe operacioneve të SHISH. Eksperti u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë autenticitetin e materialeve dhe të bëjnë publike masat e marra për mbrojtjen e personave që mund të jenë prekur nga publikimi.
Ai kërkon gjithashtu nga qytetarët që të mos i shpërndajnë më tej listat apo të dhënat e publikuara, duke argumentuar se çdo shpërndarje e tyre mund t’u shërbejë autorëve të sulmit kibernetik.
Reagimi i plotë i Semanajt:
Në një moment kur SHISH ndodhet tashmë në qendër të një prej krizave më të rënda institucionale të viteve të fundit, grupi i hakerëve “Homeland Justice” ka publikuar materiale ku pretendohet se ndodhen fatura të një kompanie celulare me lista të gjata numrash telefoni, që dyshohet se lidhen me punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Nëse këto të dhëna konfirmohen si autentike, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrjedhje të zakonshme informacioni. Kemi të bëjmë me një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e agjentëve, të burimeve dhe të operacioneve të një institucioni të inteligjencës.
Kërkoj që SHISH-i dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të deklarojnë publikisht nëse materialet janë autentike dhe çfarë masash janë marrë për mbrojtjen e personave të prekur. I kërkoj gjithashtu çdokujt që i ka këto materiale të mos i shpërndajë. Çdo shpërndarje e mëtejshme i shërben pikërisht qëllimit të atyre që i publikuan.
