Dy persona të dyshuar për një seri vjedhjesh janë arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Cooperation”, i finalizuar në Kavajë pas një hetimi për zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale.

Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet L. R., 37 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët ishin shpallur në kërkim për vjedhjen e një automjeti në Kavajë më 24 shtator. Sipas Policisë, pas vjedhjes ata janë larguar, ndërsa dyshohet se janë ndihmuar nga L. D. dhe B. S., të arrestuar më herët për kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin qarkullonin dy të dyshuarit dhe u kanë bërë shenjë për të ndaluar. Ata nuk janë bindur dhe, sipas Policisë, kanë kundërshtuar veprimet e punonjësve të Policisë. Nga verifikimet rezultoi se automjeti me targa të huaja që përdornin ishte i vjedhur.

Hetimet kanë zbardhur edhe raste të tjera të dyshuara të vjedhjes. Sipas Policisë, gjatë muajit shtator, dy të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur tre automjete në Durrës dhe dy automjete në Tiranë. Në një prej rasteve në Tiranë, pronari i automjetit dyshohet se është kanosur me thikë.

Gjithashtu, Policia dyshon se më 17 shtator, A. H. ka vjedhur me dhunë një shumë parash që përbënte xhiron ditore të një pike karburanti në Bulqizë. Gjatë operacionit dhe hetimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale katër automjete, tre targa dhe tre çelësa automjetesh, katër telefona celularë, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë vjedhjeve, si dhe mjete për hapjen e automjeteve.

Policia bën me dije se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga të dyshuarit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: