Tensionet mes Rusisë dhe Europës po marrin tone gjithnjë e më të ashpra. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se një përplasje e drejtpërdrejtë ushtarake mes Moskës dhe vendeve europiane do të ishte një luftë “krejtësisht ndryshe” dhe “shumë e shkurtër”, një deklaratë që ka ngritur shqetësime për shkallën që mund të merrte një konflikt i tillë. Lavrov ka këmbëngulur se Rusia nuk synon të sulmojë Europën, por paralajmërimi i tij ishte i drejtpërdrejtë në rast se, sipas tij, Moska sulmohet e para.

“Rusia ka thënë vazhdimisht se ne nuk do të sulmojmë vendet perëndimore dhe nuk kemi interes ta bëjmë këtë. Por nëse Europa, e cila flet rregullisht për përgatitjen për luftë kundër Rusisë, sulmon Federatën Ruse, atëherë kjo do të jetë një luftë krejtësisht tjetër dhe do të jetë shumë e shkurtër”, deklaroi Lavrov.

Kryediplomati rus akuzoi udhëheqësit europianë se po ushqejnë vetë një klimë konfrontimi me Moskën, përmes rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe paralajmërimeve se kontinenti duhet të përgatitet për një konflikt të mundshëm me Rusinë.

Sipas Lavrovit, kjo retorikë rrezikon të kthehet në një “profeci vetëpërmbushëse”. Ai pretendoi se investimet masive në industrinë e mbrojtjes mund të krijojnë një situatë ku, në një moment të caktuar, politikanë europianë mund të shtyhen drejt përdorimit të arsenalit të grumbulluar.

Deklaratat vijnë në një moment veçanërisht të tensionuar në marrëdhëniet mes Moskës dhe Berlinit. Në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Lavrov zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm gjerman Johann Wadephul, i pari takim dypalësh mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022. Biseda zgjati rreth 20 minuta.

Wadephul i kërkoi Moskës të heqë dorë nga ajo që Berlini e cilëson si “rrugë e rrezikshme e përshkallëzimit” ndaj Gjermanisë, Europës dhe NATO-s. Ai argumentoi gjithashtu se europianët nuk duhet t’ua lënë vetëm Shteteve të Bashkuara komunikimin me Rusinë dhe se kanalet e drejtpërdrejta të dialogut duhet të mbeten të hapura.

Por takimi nuk e uli temperaturën e përplasjes. Lavrov drejtoi akuza të forta ndaj Gjermanisë dhe kancelarit Friedrich Merz, duke iu referuar deklaratave të tij për forcimin e kapaciteteve ushtarake gjermane.

“Kancelari Merz po deklaron se Gjermania duhet të bëhet sërish një fuqi kryesore ushtarake në Europë. A e kupton Berlini se ku mund të çojë kjo? A nuk i kanë mësuar mësimet e Luftës së Dytë Botërore?”, deklaroi Lavrov gjatë qëndrimit të tij në OKB.

Kryediplomati rus ka përdorur gjithashtu referenca historike ndaj Gjermanisë naziste për të sulmuar politikën e sotme të Berlinit, ndërsa Moska vazhdon ta paraqesë rritjen e kapaciteteve ushtarake europiane si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së saj.

Nga ana tjetër, Berlini e sheh situatën në drejtim të kundërt. Wadephul tha pas takimit se Rusia duhet ta kuptojë se Gjermania është e gatshme “të rezistojë dhe të mbrohet”, ndërsa kërkoi që Moska të ndalë përshkallëzimin dhe të tregojë vullnet real për përfundimin e luftës në Ukrainë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb