Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmitë e Orest Ballës dhe Edison Korrës, të arrestuar për tentativën për mashtrimin e kreut të FSHF-së, Armand Duka, duke përdorur identitetin e deputetit Taulant Balla. Gazetarja Xhensila Kodra raporton për BalkanWeb se Orest Balla ka deklaruar se gjithçka nisi pasi një person i kishte shkruar në Instagram, duke i premtuar se mund të fitonte 2 mijë euro nëse merrte një numër telefoni dhe komunikonte me një person tjetër.
Sipas dëshmisë së tij, një person i kishte shkuar me makinë dhe i kishte dhënë një numër telefoni. Me këtë numër, Balla kishte komunikuar më pas me djalin e Armand Dukës. Ai ka deklaruar gjithashtu se Edison Korrën nuk e njihte më parë. Nga ana tjetër, Edison Korra ka dhënë një tjetër version për mënyrën se si është përfshirë në ngjarje. Ai ka pretenduar se Balla e kishte kontaktuar në një lokal dhe i kishte kërkuar të merrte një porosi.
Këto dëshmi paraqiten kontradiktore mes tyre, duke ngritur dyshime mbi versionet e dhëna nga dy të arrestuarit dhe mbi rolin që secili prej tyre ka pasur në skemën e dyshuar të mashtrimit. Ndërkohë, me vetë Armand Dukën nuk ka komunikuar Balla. Sipas të dhënave të bëra publike, personi që i është prezantuar kreut të FSHF-së ka komunikuar me të përmes aplikacionit Signal, duke përdorur identitetin e Taulant Ballës. Hetimet vijojnë për të zbardhur se kush qëndron pas komunikimeve dhe nëse dy të arrestuarit kanë pasur dijeni të plotë për skemën dhe personat e tjerë të përfshirë.
