Operacioni i Policisë së Tiranës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në zonat malore të Krujës dhe Qafshtamës ka hyrë në ditën e dytë, ndërsa gjatë kontrolleve në terren janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.

Gazetarja Xhensila Kodra, në një lidhje live për emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, raportoi se aktualisht po verifikohen dy pista lidhur me të shtënat që u regjistruan gjatë aksionit policor. Njëra prej tyre lidhet me mundësinë që ndonjë person i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të kanabisit të ketë qëlluar me armë zjarri, qoftë për të trembur forcat që po kryejnë kontrollet, qoftë si kundërpërgjigje ndaj aksionit.

Një tjetër pistë që po verifikohet është ajo që të shtënat mund të jenë shkaktuar nga ndonjë gjahtar që ndodhej në zonën malore. Sipas raportimit nga terreni, dyshohet se mund të jetë përdorur armë gjahu, konkretisht një “çifte”, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar nga autoritetet.

Një detaj i rëndësishëm është se, sipas raportimit, nga ana e policisë nuk ka pasur të shtëna me armë zjarri. Gjithashtu, fatmirësisht nuk ka persona të dëmtuar si pasojë e të shtënave. Operacioni është përqendruar në zonat e thella malore për evidentimin e parcelave të kultivuara me kanabis. Gjatë kontrolleve janë gjetur rrënjë kanabisi, të cilat po asgjësohen nga forcat e angazhuara në aksion.

Policia e Tiranës dhe AMP vijojnë kontrollet në terren, ndërsa pritet që verifikimet të përcaktojnë edhe burimin e të shtënave dhe nëse ato kanë pasur lidhje me operacionin policor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb