Ish-shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ankimoi në Gjykatën e Apelit të Posaçëm vendimin për masën e sigurisë të vendosur ndaj saj. Përmes avokatit, Hyseni kërkon heqjen e masës së “arrestit në shtëpi”, duke e konsideruar atë të padrejtë.

Ish-kryespiunia shqiptare dyshohet nga SPAK për akuzat e përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Për këtë arsye, me vendim të Gjykatës së Posaçme, ndaj saj u caktua në mungesë masa e “arrestit në shtëpi”.

Ajo ndodhej jashtë vendit, por u kthye në Shqipëri përmes Kosovës, për t’u përballur me Gjykatën e Posaçme, në atë që njihet si seanca e marrjes në pyetje.

SPAK thotë se, nga hetimet, ka rezultuar se Hyseni ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që i shumëkërkuari ishte në arrati. Në telefonin e sekuestruar Agasit në momentin e arrestimit, prokurorët pretendojnë se kanë gjetur të dhëna se Hyseni i kishte siguruar, për shkak të detyrës, dhe ia kishte dërguar të shumëkërkuarit.

Agasi dyshohet si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe ndërhynte në manipulimin e tenderave të institucionit.

SPAK thotë se Hyseni e informonte këtë person për takimet me kryeministrin, madje edhe për ato me partnerët ndërkombëtarë.

Për aferën e AKSHI-t, deri më tani janë të dyshuar një sërë zyrtarësh të lartë, përfshirë edhe ish-drejtoreshën e institucionit, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zëvendësen e saj, Hava Delibashi, si dhe zyrtarë policie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: