Një fotografi nga Shtëpia e Bardhë ka tërhequr vëmendjen në SHBA dhe në mediat ndërkombëtare, pasi kujton në një farë mënyre ikonografinë e “Darkës së Fundit”, por këtë herë në qendër të saj nuk janë figurat biblike, por disa prej njerëzve më të fuqishëm të industrisë së teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Presidenti amerikan Donald Trump shtroi një drekë në Shtëpinë e Bardhë për drejtuesit e kompanive më të mëdha të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Sipas Axios, rreth 31 drejtues iu përgjigjën pozitivisht ftesës së presidentit.
Në tryezë u ulën disa prej emrave më të njohur të industrisë së teknologjisë. Në krah të Trump ishin Jensen Huang i Nvidia dhe Elon Musk, ndërsa në tavolinë ishin gjithashtu Mark Zuckerberg i Meta-s, Sundar Pichai i Google, Jeff Bezos i Amazon dhe Satya Nadella i Microsoft.

Në takim mori pjesë edhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, ndërsa mes të ftuarve ishin edhe drejtues të kompanive kryesore të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë.
Në drekën e organizuar në Shtëpinë e Bardhë morën pjesë gjithashtu Lisa Su, drejtuese ekzekutive e AMD-së, dhe Greg Brockman, president i OpenAI.
Nga administrata amerikane ishin të pranishëm edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Michael Kratsios.
Gjatë takimit, Trump foli edhe për mënyrën se si duhet të rregullohet zhvillimi i inteligjencës artificiale në SHBA. Presidenti amerikan u shpreh në favor të “vetërregullimit masiv” të industrisë, duke e vendosur këtë qasje përballë kërkesave për një mbikëqyrje më të madhe nga Kongresi.
Një tjetër temë e diskutuar ishte zgjerimi i qendrave të të dhënave, të cilat janë bërë një komponent thelbësor i zhvillimit të inteligjencës artificiale. Trump argumentoi se këto qendra do të sjellin përfitime ekonomike për komunitetet ku ndërtohen.
“Zonat e qendrave të të dhënave janë bërë shumë të pasura”, deklaroi Trump, duke shtuar se banorët kanë përfituar nga rritja e të ardhurave dhe ulja e taksave.
Takimi vjen në një moment kur industria amerikane e teknologjisë po investon shuma të mëdha në inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e saj. Prania në të njëjtën tryezë e drejtuesve të kompanive rivale nënvizoi peshën që sektori i teknologjisë dhe AI ka marrë në politikën dhe ekonominë amerikane.
