NATO ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Rusisë lidhur me situatën rreth enklavës ruse të Kaliningradit, duke dënuar atë që e cilëson si “retorikë të papërgjegjshme bërthamore”.
Zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart, konfirmoi se aleanca ka marrë një dokument të dërguar nga Moska, në të cilin Rusia shpreh shqetësimin për atë që i konsideron “veprime provokuese” të NATO-s ndaj Kaliningradit.
“Ne dënojmë fuqimisht kërcënimin e përdorimit të forcës ushtarake, përfshirë çdo retorikë bërthamore të papërgjegjshme”, deklaroi Hart, duke konfirmuar se NATO po përgatit përgjigjen ndaj dokumentit të dërguar nga pala ruse.
Dokumenti u bë publik nga Ambasada e Rusisë në Bruksel përmes platformës X. Në të, Moska shpreh “shqetësimin” e saj për aktivitetet e NATO-s që, sipas saj, përbëjnë provokime ndaj enklavës ruse të Kaliningradit.
Në dokument, Rusia paralajmëron se është e gatshme të reagojë ndaj këtyre zhvillimeve “me të gjithë arsenalin e saj”, formulim që ka shkaktuar reagimin e NATO-s për shkak të referencave ndaj kapaciteteve ushtarake dhe bërthamore.
Kaliningradi është një territor rus i shkëputur nga pjesa tjetër e Federatës Ruse dhe ndodhet mes Polonisë dhe Lituanisë, dy vende anëtare të NATO-s. Pozicioni i tij strategjik e ka bërë prej kohësh një nga pikat më të ndjeshme të përplasjes ushtarake dhe politike mes Moskës dhe aleancës.
Reagimi i fundit vjen në një periudhë tensionesh të larta mes NATO-s dhe Rusisë, ndërsa të dyja palët kanë shkëmbyer akuza për veprime provokuese dhe përshkallëzim të situatës së sigurisë në Evropë.
NATO ka përsëritur se çdo kërcënim për përdorimin e forcës dhe veçanërisht referencat ndaj armëve bërthamore janë të papranueshme, ndërsa Moska vazhdon të paralajmërojë se do të reagojë ndaj çdo veprimi që e konsideron kërcënim ndaj interesave dhe sigurisë së saj.
