Një 57-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në metronë e Nju Jorkut, pasi çanta e tij ngeci mes dyerve të trenit dhe ai përfundoi mbi shina. Ngjarja ndodhi të hënën pasdite në stacionin Utica Avenue, në lagjen Bedford-Stuyvesant të Brooklynit.

Burri po zbriste nga një tren të linjës A, i cili po udhëtonte në drejtim të Manhattanit, kur çanta që mbante me vete mbeti e bllokuar mes dyerve. Teksa treni nisi të lëvizte, çanta u tërhoq pas dhe burri përfundoi mbi shinat.

Sipas autoriteteve, të cituara nga ABC7, pasagjeri u gjet pa ndjenja në shinat veriore të stacionit. Policia e Nju Jorkut mori një telefonatë emergjence rreth orës 18:05 me orën lokale. Viktima u identifikua si Yau Boahene, 57 vjeç, banues në Brooklyn.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, por pavarësisht ndërhyrjes, 57-vjeçari u shpall i vdekur. Zyra e Mjekut Ligjor të Nju Jorkut pritet të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes, ndërsa policia vijon hetimet për rrethanat e aksidentit. Dëshmitarët kanë përshkruar panikun e krijuar mes pasagjerëve pas incidentit në stacion.

Aksidente të tilla në sistemin e metrosë së Nju Jorkut janë të rralla, por një tjetër rast i ngjashëm ishte regjistruar në vitin 2022, kur një burrë humbi jetën pasi rrobat iu ngecën në dyert e një treni të linjës 1 në stacionin Columbus Circle. Sipas Autoritetit Metropolitan të Transportit (MTA), aksidentet me pasagjerë në metro u rritën me 2% gjatë vitit 2025. Megjithatë, për shkak të rritjes më të madhe të numrit të udhëtarëve, shkalla e aksidenteve për pasagjer ra me 4.7%. MTA vijon të zbatojë masa për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve të ngjashme në sistemin e metrosë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: