Gjatë prezantimit të ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama u ndal te mënyra se si duhet të trajtohen rastet e abuzimit me detyrën. Rama argumentoi se për dënimet nën 5 vite ku përfshihen edhe abuzimet me detyrën, nuk duhet të ketë masë arresti me burg, duke kërkuar që përgjegjësia penale të lidhet me natyrën dhe pasojat konkrete të veprimit.
Deklarata e Ramës ka shkaktuar reagime politike. Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi e cilësoi qëndrimin e kryeministrit si një përpjekje për të mbrojtur persona të përfshirë në abuzime me tenderat, duke deklaruar se “Rama po tregon se ka hallin e tij dhe të bashkëpunëtorëve”.
“Kujtojmë këtu se me shkelje të barazisë në tendera, Belinda Balluku sipas SPAK ka abuzuar me 1.2 miliardë euro buxhet të shqiptarëve. Sipas Edi Ramës, kjo është vepër e lehtë, s’duhet ndëshkuar. Shqipëria lypset sot ta forcojë luftën ndaj këtyre kategorive, ndaj shpërdorimit të detyrës apo shkeljes së barazisë në tendera, dhe jo e kundërta. Edhe një herë, Edi Rama po tregon se ka hallin e tij e të bashkëpunëtorëve si prioritet, jo nevojat e vendit”, shprehet Këlliçi.
Postimi
Korrupsioni nuk ka pasur ndonjëherë mbrojtës më të mirë se sa Edi Rama!
Pasi i përkrah publikisht njerëzit e tij që kapen duke abuzuar, pasi del garant i virtyteve dhe varfërisë së tyre, pasi bën 82 vota në Kuvend kundër drejtësisë dhe në mbështetje të zëvendëses së tij, tani ka bërë edhe një hap tjetër.
Mbrojtësi i korrupsionit kërkon ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në mënyrë që ata të akuzuar për shpërdorim detyre apo shkelje e barazisë në tendera, të mos shkojnë në burg.
Gjatë kohës që hetohen të vazhdojnë punën njësoj, procedurat njësoj, jetën njësoj.
Kujtojmë këtu se me shkelje të barazisë në tendera, Belinda Balluku sipas SPAK ka abuzuar me 1.2 miliardë euro buxhet të shqiptarëve. Sipas Edi Ramës, kjo është vepër e lehtë, s’duhet ndëshkuar.
Shqipëria lypset sot ta forcojë luftën ndaj këtyre kategorive, ndaj shpërdorimit të detyrës apo shkeljes së barazisë në tendera, dhe jo e kundërta.
Edhe një herë, Edi Rama po tregon se ka hallin e tij e të bashkëpunëtorëve si prioritet, jo nevojat e vendit.
