Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kanë shfaqur një qëndrim të përbashkët në favor të një buxheti më ambicioz të Bashkimit Europian, në një kohë kur negociatat për buxhetin e ardhshëm pritet të përballen me kundërshtime nga disa vende anëtare, përfshirë Gjermaninë.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Pallatin Moncloa në Madrid, Macron deklaroi se Franca dhe Spanja mbështesin rritjen e investimeve dhe një qasje më ambicioze për buxhetin europian.

“Ne mbështesim një qasje ambicioze për çështjen e investimeve dhe gjithashtu mbështesim një qasje ambicioze në lidhje me buxhetin evropian”, tha Macron, duke theksuar se mes Parisit dhe Madridit ka një “konvergjencë shumë të fortë” për këtë çështje.

Presidenti francez argumentoi se buxheti i BE-së ka nevojë për më shumë burime të veta, me synimin që të rritet kapaciteti financiar i Unionit pa shtuar domosdoshmërisht kontributet kombëtare.

Macron kërkoi gjithashtu të shqyrtohet mënyra e shlyerjes së borxhit të përbashkët europian të marrë gjatë pandemisë së COVID-19, duke ngritur mundësinë e zgjatjes së afateve të shlyerjes.

Sipas Macron, madhësia dhe ambicia e buxhetit të ardhshëm lidhen drejtpërdrejt me aftësinë e Europës për të investuar në inovacion.

“Ambicia e këtij buxheti është çelësi për të trajtuar atë që është faktori kryesor që shpjegon problemin e Evropës sot, mungesën e inovacionit”, deklaroi ai.

Macron paralajmëroi se pa investime të përbashkëta në inovacion, vendet europiane rrezikojnë të humbasin terren në konkurrencën globale.

Nga ana tjetër, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha se ndan të njëjtin vizion për një buxhet europian më ambicioz.

“Buxhetet evropiane duhet të jenë shumë më ambicioze sesa ajo që parashikohet aktualisht”, u shpreh Sánchez.

Në deklaratën e tij, kryeministri spanjoll foli gjithashtu për nevojën e forcimit të Europës përballë sfidave politike dhe ekonomike, duke iu referuar edhe forcave që, sipas tij, synojnë ndarjen e Europës.

Sánchez tha se Franca dhe Spanja po ndërtojnë një “rezistencë evropiane” ndaj atyre që i konsideron kundërshtarë të kontinentit dhe modelit europian, ndërsa denoncoi “rrymat reaksionare” që kërkojnë një Europë të përçarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb