Presidenti kinez Xi Jinping ka deklaruar se Pekini do të përballet me forcat që mbështesin pavarësinë e Tajvanit dhe me atë që Kina e konsideron ndërhyrje të huaj në çështjet e ishullit.

Deklaratat u bënë gjatë një fjalimi me rastin e festimeve kombëtare të Kinës, ku Xi përsëriti gjithashtu objektivin e Pekinit për “ribashkimin” e Tajvanit me Kinën kontinentale.

“Ne duhet të thellojmë shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndër-ngushticë, të shtypim me vendosmëri forcat separatiste që shpallin pavarësinë e Tajvanit, të kundërshtojmë ndërhyrjen nga forcat e jashtme, të promovojmë zhvillimin paqësor të marrëdhënieve midis dy palëve dhe të çojmë përpara kauzën e rëndësishme të ribashkimit kombëtar”, tha Xi, sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua.

Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të Kinës dhe e ka deklaruar “ribashkimin” si një objektiv kombëtar. Autoritetet kineze kanë deklaruar gjithashtu se nuk përjashtojnë përdorimin e forcës nëse e konsiderojnë të nevojshme.

Presidenti tajvanez Lai Ching-te, i cili mbron sovranitetin dhe sistemin demokratik të ishullit, është cilësuar nga Pekini si “separatist”. Në vitet e fundit, Kina ka shtuar presionin politik dhe ushtarak ndaj Tajvanit.

Çështja e Tajvanit mbetet gjithashtu një nga pikat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Pekini kundërshton mbështetjen amerikane për Tajvanin dhe i ka kërkuar Uashingtonit të kundërshtojë pavarësinë e ishullit.

Fjalimi i Xi u mbajt në prag të përvjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Më 1 tetor 1949, Mao Ce Duni shpalli në Pekin themelimin e Republikës Popullore të Kinës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: