Protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama hyjnë sot në ditën e 124-t, ndërsa qytetarët dhe aktivistët vijojnë të kërkojnë ndryshimin e drejtimit politik të vendit.

Në fokus të protestave mbetet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ngritjen e një qeverie teknike. Protestuesit kanë renditur gjithashtu disa kërkesa të tjera, mes tyre edhe anulimin e ligjeve që, dëmtojnë rëndë natyrën shqiptare.

Gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë, pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë përmes disa sloganeve. Ndër thirrjet e dëgjuara ishin “Arrestoni Ramën” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri”.

Tubimi u zhvillua edhe në kohën kur në Shqipëri ndodhej Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Protestuesit përcollën mesazhe kritike ndaj qeverisë, duke thënë se Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian me Edi Ramën.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Kërkesat e tyre mbeten të përqendruara te ndryshimi politik, largimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i një qeverie teknike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: