TIRANE – Shqipëria dhe Kosova tashmë kanë një konsullatë të përbashkët edhe në Bari të Italisë. Lajmi bëhet i ditur nga kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati, në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.
Ministri Bushati thekson se partneriteti strategjik Shqipëri-Kosovë thellohet dita ditës përmes veprimeve konkrete. Pas konsullatës në Bari, por punohet për konkretizimin e Konsullatës së Përbashkët në Mynih, Gjermani.
“Konsullata e Shqipërisë në Bari do të jetë në shërbim edhe të qytetarëve të Kosovës. Partneriteti strategjik Shqipëri-Kosovë thellohet dita ditës përmes veprimeve konkrete në zbatim të planit afat-mesëm të dakordësuar me kolegun e mikun tim Enver Hoxhaj. Faleminderit autoriteteve Italiane për disponibilitetin e dëshmuar.
Po vijojmë punën për të konkretizuar së shpejti Konsullatën e Përbashkët në Mynih, Gjermani!”- shkruan ministri Ditmir Bushati.
(er.nu/BalkanWeb)
