Situata në fshatin Galush dhe Gjevur të Njësisë Administrative Përparim të Peqinit është përkeqësuar ndjeshëm pas orës 22:00, ndërsa zjarri vijon të përhapet me shpejtësi dhe flakët kanë prekur tashmë banesat në Galush .
Situata paraqitet alarmante, me banorët dhe strukturat e emergjencave përballë një zjarri që ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme.
Nga flakët janë shkrumbuar mijëra rrënjë ulliri dhe arrorësh, masive të tëra me shkurre e bimësi, ndërsa raportohet edhe për djegien e rezervave ushqimore të familjeve.
Bilanci është rënduar edhe më tej, pasi një banesë në Galush është përfshirë nga zjarri dhe është djegur.
Gjatë mbrëmjes, përhapja e flakëve drejt zonave të banuara ka rritur ndjeshëm rrezikun për jetën dhe pronën e banorëve. Forcat zjarrfikëse vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave.
Zjarri, i cili prej orësh ka përfshirë zonën e Galushit dhe Gjevurit, ka shkaktuar dëme të mëdha në ullishte, pemëtari, shkurre dhe sipërfaqe të tjera bujqësore.Flakët kanë përshkuar të paktën 25 ha deri tani .
