E lidhur në krevatin e ekzekutimit për rreth një orë,  50 vjeçares Christa Pike iu injektuan njëra pas tjetrës shtatë gjilpëra, ndërsa stafi mjekësor përpiqej të gjente një venë për të injektuar substancën vdekjeprurëse.

Sipas New York Post , duke cituar avokatët e saj, të paktën shtatë gjilpëra u përdorën gjatë ekzekutimit, me njërën prej tyre që u thye, kur iu hoq nga krahu.

Dhe ndërsa procesi po zhvillohej në një kaos të paparë, vetë 50-vjeçarja jo vetëm që bashkëpunoi, por u përpoq edhe t’i udhëzonte ata që ishin caktuar për ta ekzekutuar, duke treguar vende në trupin e saj ku ajo besonte se mund të gjenin një venë.

“Ju lutem, provoni më lart, mbi shpatullën time. Provojeni këtu, mendoj se do të jetë në rregull”, thuhet se u ka thënë ajo ekzekutuesve vazhdimisht, sipas Steven Ferrell të firmës ligjore Federal Defender Services të Tenesit Lindor.

Ekzekutimi i Pike në Institucionin e Sigurisë Maksimale Riverbend të Nashville dështoi, duke bërë që ajo të dërgohej me urgjencë në Spitalin Universitar Vanderbilt. Avokatët e saj njoftuan të nesërmen se ajo ishte në gjendje kritike, duke marrë mbështetje për jetën, dhe theksuan se ka shumë gjasa që të ketë marrë dëmtime në tru.

Avokatët e saj theksojnë gjithashtu faktin se Pike kishte shprehur frikë para ekzekutimit se stafi do të kishte vështirësi në gjetjen e venave të saj.

Ajo po merr tani trajtim mjekësor, pasi i mbijetoi ekzekutimit.

Christa Pike, tani 50 vjeçe, u shpall fajtore për vrasjen e një shoqeje të klasës në vitin 1995. Krimi u krye së bashku me të dashurin e saj, kur ajo ishte 18 vjeçe. Ajo ishte planifikuar të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se 200 vjetësh, por u dërgua në një institucion mjekësor pasi ilaçi nuk arriti ta vriste.

Ndërkaq Tennessee ka pezulluar të gjitha ekzekutimet pas ekzekutimit të dështuar të Christa Pike, e cila mbijetoi dy tentativa për injeksion vdekjeprurës. Guvernatori Bill Lee njoftoi se do të zhvillohet një hetim i pavarur për incidentin, i cili e ka lënë Pike në gjendje kritike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: