Detaje tronditëse janë bërë publike për incidentin e rëndë në fluturimin FZ1073 të Flydubai, nga Dubai drejt Tel Avivit, ku bashkëpiloti dyshohet se sulmoi me thikë kapitenin indian në kabinën e pilotit, ndërsa avioni ndodhej në rreth 34 mijë këmbë lartësi dhe kishte 174 pasagjerë në bord.

Situata u përshkallëzua me shpejtësi pasi avioni nisi të humbiste ndjeshëm lartësi. Pasagjerët dëgjuan zëra nga pjesa e përparme e kabinës dhe më pas një grua bërtiti: “Thikë! Thikë!”. Disa prej tyre u nisën menjëherë drejt kabinës së pilotit, ku katër burra arritën të neutralizonin bashkëpilotit, ta nxirrnin nga kabina dhe t’i lidhnin duart e këmbët.

Një prej pasagjerëve që ndërhyri ishte dentisti 47-vjeçar hebre me origjinë gjeorgjiane, Sota Musayev, i cili udhëtonte bashkë me gruan dhe fëmijët e tij. Në dëshminë e tij për “Daily Mail”, ai tha se pasagjerët fillimisht menduan se humbja e lartësisë ishte pasojë e turbulencave, por shumë shpejt kuptuan se po ndodhte diçka shumë më serioze. Pasi u neutralizua, bashkëpiloti, i identifikuar nga autoritetet izraelite si shtetas i Omanit, dyshohet se përsëriste vetëm një fjali: “Më vritni, më vritni”.

Ndërkohë, kapiteni Smit Machar kishte pësuar plagë të rënda dhe kishte humbur një sasi të madhe gjaku. Sipas Musayev, ai ishte dëmtuar në krah, qafë dhe në pjesën e pasme të kokës, ndërsa kabina ishte mbushur me gjak. Megjithatë, piloti ishte ende i vetëdijshëm dhe u kërkonte pasagjerëve: “Më shpëtoni. Nuk dua të vdes këtu”.

Në mungesë të mjeteve të mjaftueshme për ndihmën e parë, pasagjerët përdorën copa pëlhure për t’i ndaluar gjakderdhjen kapitenit dhe për ta mbajtur gjallë deri në momentin kur kontrolli i avionit iu dorëzua një ekuipazhi rezervë. Sipas të dhënave të Flightradar24, avioni humbi më shumë se 14 mijë këmbë lartësi në më pak se 30 sekonda, ndërsa ndodhej mbi Arabinë Saudite. Më pas, ekuipazhi rezervë arriti të marrë kontrollin dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Tabukut, në Arabinë Saudite.

Musayev tha se një veprim i kapitenit ishte vendimtar për shpëtimin e pasagjerëve: hapja e derës së kabinës së pilotit. Sipas tij, nëse dera do të kishte mbetur e mbyllur, pasagjerët mund të mos kishin mundur të ndërhynin dhe situata mund të kishte përfunduar në një tragjedi. Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe po hetojnë motivet e bashkëpilotit dhe nëse sulmi ishte i paramenduar apo kishte lidhje me terrorizmin. Hetimi për incidentin vijon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb