Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Qarkun e Elbasanit, konkretisht në fshatin Galush të Peqinit dhe në zonën pyjore të Gjinarit. Strukturat zjarrfikëse dhe shërbimet mbështetëse janë angazhuar në terren për monitorimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së flakëve. Sipas informacionit zyrtar të Zyrës së Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Qarkut Elbasan, në Galush, Njësia Administrative Përparim, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me ullishte, shkurre dhe bimësi të ulët. Efektivët e MZSH Peqin kanë qëndruar gjatë gjithë natës në terren, ndërsa kanë krijuar edhe një brez sigurie për mbrojtjen e banesave.
Vatrat vijojnë të jenë aktive në disa pjesë të zonës, por autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat apo objektet e tjera. Në terren janë angazhuar një mjet zjarrfikës dhe 9 efektivë të MZSH Peqin, ndërsa në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe një mjet zjarrfikës dhe 4 efektivë të MZSH Rrogozhinës.
Ndërkohë, situata vijon të monitorohet edhe në zonën pyjore të Gjinarit, ku zjarri është aktiv prej disa ditësh. Raportohet për prani tymi brenda sipërfaqes së prekur, por aktualisht nuk ka shenja të përhapjes së flakëve dhe nuk raportohet zhvillim i zjarrit në kurorën e pyllit. Për menaxhimin e situatës në Gjinar janë angazhuar 14 efektivë të MZSH Elbasan dhe një mjet zjarrfikës, si dhe 9 punonjës të ASHP-së dhe 7 punonjës të Ndërmarrjes Pyjore të Bashkisë Elbasan.
Strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e pandërprerë të të dyja vatrave, ndërsa forcat zjarrfikëse janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast të riaktivizimit ose përhapjes së zjarrit, veçanërisht në zonat me bimësi të thatë, shkurre, ullishte dhe sipërfaqe pyjore.
