Edhe pse në publik shfaqen gjithmonë në kuadër të angazhimeve mbretërore, Kate Middleton dhe Princi William kanë edhe rutinat e tyre të zakonshme në familje. Princesha e Uellsit ka treguar se çifti ndan mes tyre edhe punët e shtëpisë, ndërsa në këto detyra përfshihen edhe fëmijët e tyre.

Kate e bëri këtë rrëfim gjatë një vizite në West Sussex Minibus, një nismë komunitare në Pulborough, e cila ofron transport për banorët vendas dhe synon të ndihmojë veçanërisht personat që përballen me izolimin social. Gjatë vizitës, ajo u takua me banorë të zonës dhe mori pjesë në drekën javore të organizuar për të moshuarit. Para kësaj, princesha surprizoi 94-vjeçaren Stella Drewett pranë banesës së saj dhe më pas të dyja udhëtuan së bashku me autobusin e shërbimit.

Biseda mes Kate dhe pjesëmarrësve u zhvendos më pas te jeta e përditshme dhe punët e shtëpisë. “Më pëlqen të laj enët. Vërtet”, tha ajo, duke shkaktuar një reagim me humor nga një prej të pranishmëve: “Shkëlqyeshëm, një vullnetare!”. Kur u pyet nëse edhe Princi William e ndihmon me punët e shtëpisë, Kate tregoi se detyrat janë të ndara mes tyre. “Ai lan enët. Jemi një dyshe e mirë. Dhe i përfshijmë fëmijët”, u shpreh ajo.

Kate dhe William kanë tre fëmijë, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis, të cilët sipas saj përfshihen gjithashtu në punët e shtëpisë. Rrëfimi i princeshës solli një pamje më të zakonshme të jetës së familjes mbretërore, larg angazhimeve dhe ceremonive zyrtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: