Është 75 vjeç dhe ka mbërritur në studion e emisionit me Zemër të Hapur të moderatores dhe autores Evis Ahmeti në News24,  nuk kërkon asgjë për veten, kërkon ndihmë për vajzën e tij dhe dy nipërit, dy fëmijë jetimë që po përballen me vështirësi të mëdha.

Vajza ka mbetur e vetme pas zhdukjes së bashkëshortit të saj, i cili prej vitesh figuron si person i humbur dhe i zhdukur. Ai jetonte bashkë me vajzën e 75-vjeçarit në shtetin e Greqisë, një martese e cila erdhi nga njohja e dy te rinjve.

Një natë i riu ishte thirrur nga persona të panjohur dhe nuk u kthye më. Që prej asaj dite familja nuk ka mundur të mësojë se çfarë ka ndodhur me të. Kanë kaluar vite dhe ende nuk ka një përgjigje për fatin e tij. Nëna ka mbetur vetëm me dy fëmijët, duke u përpjekur t’i rrisë dhe t’i mbajë në shkollë, pavarësisht vështirësive.

Për t’i dhënë një strehë kësaj familjeje, Bashkia u ka mundësuar një garsoniere në Shkozë. Por edhe aty, jeta është bërë gjithnjë e më e vështirë. Prej rreth gjashtë muajsh, familja jeton pa energji elektrike, pasi pamundësia për të paguar faturat ka sjellë ndërprerjen e energjisë.

Në atë shtëpi jetojnë dy fëmijë që kanë nevojë të mësojnë, të lexojnë dhe të përgatiten për shkollë, por tashmë edhe vazhdimi i shkollimit të tyre është vënë në pikëpyetje. Nëna nuk ka mundësi t’i përballojë shpenzimet, ndërsa babai i saj 75-vjeçar, i cili vetë jeton me aftësi të kufizuara, ndihet i pafuqishëm përballë kësaj situate.

Megjithatë, ai nuk është dorëzuar. Ai kërkon vetëm një mundësi për vajzën dhe nipërit e tij. Kërkon që në atë shtëpi të rikthehet energjia, që dy fëmijët të mos detyrohen të ndërpresin shkollën dhe që vajza e tij të mund të përballojë jetën e vështirë që i ka mbetur mbi supe.

74-vjeçari: Jetoj me vajzën në banesë sociale në Shkozë, jam i detyruar. Vajza ime është me aftësi të kufizuara, ka dy fëmijë jetim dhe ia dhanë banesën.

Për një vit nuk ka paguar ujë dhe drita e nuk kemi as energji elektrike. Vajza ka 12 vite e martuar, bashkëshortin e ka njohur me telefon. Ka dy fëmijë, 12 dhe 11 vjeç. Bashkëshorti i vajzës time  është zhdukur në Greqi. Bëri sherr tre ditë përpara me ca shokë. Gjasat janë që edhe mund ta kenë vrarë.

Autoritetet greke thonë se nuk kemi asnjë gjurmë. Kishte dy shokë me të cilët ka bërë sherr, njëri ishte nga Skrapari e tjetri nga Përmeti. Shokët kanë thënë se kemi bërë sherr, e kemi goditur dhe kanë thënë se nuk e dimë se ku ka shkuar dhëndri im.

Dhëndri ishte person i rregullt, merrte në telefon vajzën time dhe fëmijët. Nuk rrinte ai pa folur me familjen. Mendojmë se e kanë zhdukur.

Vajza ime ka dhe probleme emocionale, ka tentuar të vrasë veten dhe fëmijët, ka kaluar në depresion. Donte t’i jepte fund jetës me gjithë fëmijë, por e mbajta afër. Vajza më ka thënë vetë që “nuk mund të jetoj më”. Deri tani asnjë ndihmë nuk ka marrë. Edhe djali im që rri me gruan time ka probleme dhe nipërit nuk i marr dot me vete, se i rrezikon im bir.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb