Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale kanë rikthyer në diskutim mënyrën se si vendosen masat e sigurisë dhe administrohen provat në një proces penal. Ish-prokurori Ervin Karanxha i konsideron këto ndryshime të domosdoshme, duke e lidhur nevojën për ndërhyrje edhe me mbipopullimin e burgjeve.

Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Karanxha tha se duhet të bëhet një dallim më i qartë mes rasteve dhe veprave penale, duke marrë në konsideratë rrethanat konkrete të çdo personi. Ai solli si shembull rastet e personave që kapen me sasi të vogla hashashi dhe përfundojnë në “arrest me burg”, ndërsa ngriti shqetësime edhe për mënyrën e administrimit të provave.

“Këto ndryshime ishin të domosdoshme se burgjet janë plot. Gjykata Kushtetuese thotë: shiko veprat penale të personit. Ndaj kjo është një përgjigje e vonuar. Nuk është për Erion Veliajn apo një politikan tjetër. Ndaj duhet të marrin masa që të ulet numri i personave në burgje, jo të nxjerrim vrasës. Por ata që kapen me 1 gram hashash, për shembull, u jepet masa ‘arrest me burg’, duhet konsultuar çështjen. Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për provat elektronike. Kushtetuesja thotë këto mund të hapen vetëm me vendim gjykate, telefona, PC. Kurse për provat e tjera, me ndryshimet që çdo provë duhet të shkojë në gjykatë, s’më duket me vend. Për shembull, arma e zjarrit që gjendet në vendngjarje. Se s’do ia çojmë armën gjykatës dhe më pas t’ia kthejmë autorit. Se kjo sjell vonesë të procesit.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: