Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët “Profesionistët e lirë si aktorë aktivë në shoqëri dhe politikëbërje”, të organizuar nga Aleanca e Profesionistëve të Lirë, me mbështetjen e Center for International Private Enterprise.
Në fjalën e saj, Tabaku kërkoi që profesionistët e lirë të mos trajtohen thjesht si zbatues të ligjeve, por të përfshihen drejtpërdrejt në hartimin e tyre, në konsultimet publike dhe në procesin e integrimit europian.
Ajo solli si shembuj bashkëpunimin për çështjen e profesionistëve të lirë në Gjykatën Kushtetuese dhe ndërhyrjet në ligjin e auditimit, duke theksuar se bashkimi rreth një interesi publik sjell rezultate konkrete.
“Kur palët bëhen bashkë dhe kanë një interes të përbashkët publik, sigurisht që gjërat ecin”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate kritikoi mënyrën se si zhvillohet sot konsultimi publik, duke e cilësuar atë, në shumë raste, si një proces formal.
“Duhet të merret realisht mendimi i profesionistëve, sepse janë ata që mbajnë mbi shpinë zbatimin e ligjeve në pjesën më të madhe të kohës. Konsultimi duhet të ndodhë përpara se projektligjet të vijnë në Parlament”, deklaroi ajo.
Sipas Tabakut, profesionistët e lirë përfaqësojnë një nga shtyllat kryesore të shtresës së mesme dhe janë ndër grupet që e ndiejnë më fort peshën e sistemit aktual fiskal dhe rregullator.
“Nëse ka një shtresë që përfaqëson më mirë sfidat e Shqipërisë, jeni pikërisht ju, profesionistët e lirë”, tha Tabaku.
Duke u ndalur te integrimi europian, kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane ngriti shqetësimin se Shqipërisë i mungon ende një analizë e plotë për gatishmërinë e bizneseve për të përballuar kostot dhe detyrimet e legjislacionit të Bashkimit Europian.
“A është gati biznesi shqiptar të përballet me të gjitha sfidat e legjislacionit europian? Çfarë duhet të bëjë biznesi, çfarë kostosh do të ketë dhe çfarë ligjesh duhen miratuar? Integrimi nuk mund të bëhet vetëm në letra dhe vetëm me qeverinë, pa përfshirë ata që do t’i zbatojnë ligjet”, nënvizoi Tabaku, duke kërkuar që përfaqësuesit e profesionistëve dhe të biznesit të jenë pjesë e grupeve të negociimit.
Tabaku foli gjithashtu për klimën e biznesit dhe për përqendrimin e pasurisë dhe të privilegjeve ekonomike në një numër të vogël kompanish. Ajo tha se kjo situatë po dëmton konkurrencën dhe po lë në harresë biznesin e vogël, biznesin e mesëm dhe profesionistët e lirë.
“Ju nuk konkurroni me pasurinë e monopoleve dhe as me paratë e korrupsionit. Ju konkurroni vetëm me punën tuaj”, u shpreh deputetja e PD-së.
Sipas saj, nuk mund të ketë një ekonomi të drejtë kur një grup i vogël përfiton favore dhe përjashtime fiskale, ndërsa profesionistët e lirë përballen me taksa, ligje abuzive, kontrolle dhe presion administrativ.
“Procesi i integrimit duhet të na shërbejë për ta përmirësuar vendin, jo për ta kthyer në një proces formal nga i cili nuk përfiton askush”, theksoi Tabaku.
Në përfundim, ajo shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me Aleancën e Profesionistëve të Lirë dhe organizatat e biznesit në tri drejtime kryesore: përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e rolit të profesionistëve në procesin ligjvënës dhe përfshirjen e tyre në procesin e integrimit europian.
Fjala e deputetes së PD
Në fakt, erdha më shumë për të dëgjuar. Nuk e mendova që do të ishte ky format; mendova se do të zhvillohej më shumë në formën e një bashkëbisedimi.
Duhet të falënderoj Julin dhe të gjithë ekipin për punën që kanë bërë, sidomos në fushën e profesionistëve të lirë, por njëkohësisht edhe për bashkëpunimin që kemi pasur në të shkuarën.
Së pari, kemi bashkëpunuar për çështjen e profesionistëve të lirë në Gjykatën Kushtetuese. Kur palët bëhen bashkë, për të reflektuar edhe mbi ato që tha zonja Albana nga Dhoma e Tregtisë, dhe kur kanë një interes të përbashkët publik, sigurisht që gjërat ecin.
Së dyti, kemi bashkëpunuar për ligjin e auditimit. Edhe ai ishte një test i mirë se si procesi i konsultimit publik mund të shërbejë realisht për të ndryshuar një ligj.
Sot ndodhemi përpara faktit se shumë gjëra nuk janë ashtu siç duhet. Më vjen keq që procesi i konsultimit publik, me gjithë respektin që kam për Dianën si profesioniste dhe eksperte, shpeshherë është formal. Këtu më duhet ta kundërshtoj pak.
Duhet të merret realisht mendimi i profesionistëve, sepse jeni ju që mbani mbi shpinë zbatimin e ligjeve në pjesën më të madhe të kohës.
Unë e dëgjoj edhe mendimin kundër. Në këtë tryezë janë ulur disa profesionistë të cilët më kritikojnë shpesh. Në fakt, më vjen mirë kur më kritikojnë për çështje për të cilat duhet të flas, sepse shpeshherë ata janë një zë që na sjell në vëmendje problematikat që mund të ekzistojnë.
Do ta ndaja diskutimin në disa drejtime.
Së pari, roli i profesionistëve të lirë në politikëbërje. Procesi legjislativ duhet të mbështetet patjetër në punën reale që ju zhvilloni. Konsultimi duhet të ndodhë përpara se projektligjet të vijnë në Parlament, sepse, kur ato mbërrijnë në Parlament, procesi është shpeshherë formal. Megjithatë, kur kemi punuar së bashku, kemi arritur të bëjmë edhe ndryshime të mira gjatë shqyrtimit parlamentar.
Së dyti, kam një shqetësim për sistemin që është krijuar dhe që është kthyer në një barrë shumë të madhe për shtresën e mesme. Ju të gjithë jeni shembulli më i mirë i shtresës së mesme. Nëse ka një shtresë që përfaqëson më mirë sfidat me të cilat përballet Shqipëria, jeni pikërisht ju që jeni ulur në këtë tryezë.
Procesi i integrimit europian, në të vërtetë, sjell një barrë dhe përgjegjësi shumë të madhe për bizneset. Por ne ende nuk kemi një analizë të plotë për gatishmërinë e tyre.
Kam këtu përballë Florin, nga shoqata e prodhuesve, me të cilin diskutojmë pothuajse çdo ditë për gatishmërinë e biznesit.
A është i gatshëm biznesi shqiptar të përballet me të gjitha sfidat e legjislacionit europian? Ky është një diskutim që duhet të zhvillohet edhe në këtë tryezë.
Çfarë duhet të bëjë biznesi? Çfarë kostosh do të ketë? Çfarë ligjesh duhet të miratohen?
Procesi i integrimit nuk mund të bëhet vetëm në letra dhe vetëm me qeverinë, pa përfshirë ata që do t’i zbatojnë ligjet. Jemi vonë në këtë drejtim. Ju duhet të ishit pjesë edhe e grupeve të negociimit dhe mendoj se kjo është një fazë tjetër ku mund të jepni një kontribut të rëndësishëm.
Sigurisht, e gjithë kjo lidhet edhe me klimën e përgjithshme të biznesit në Shqipëri.
Kam parë me shqetësim raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kemi diskutuar më parë edhe raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë për biznesin.
Sot ekziston një presion i jashtëzakonshëm mbi klimën e biznesit, i cili vjen nga një grup i vogël kompanish që, ashtu siç thuhej edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë përqendruar pasurinë.
Kjo e lë pothuajse në harresë shtresën e mesme, e cila duhet të ishte mbështetja kryesore e ekonomisë, si dhe biznesin e vogël dhe të mesëm.
Ju nuk konkurroni dot as me pasurinë e monopoleve dhe as me paratë e korrupsionit. Ju konkurroni vetëm me punën tuaj.
Shpresoj shumë që kjo klimë biznesi, ku një grup i vogël merr përfitimet dhe përjashtimet nga taksat, ndërsa profesionistët e lirë ngarkohen me taksa, ligje abuzive, kontrolle dhe presion nga inspektorët, të ndryshojë në Shqipëri.
Procesi i integrimit duhet të na shërbejë për ta përmirësuar vendin, jo për ta kthyer në një proces formal nga i cili nuk përfiton askush.
Duke u përpjekur që ta mbaj politikën jashtë këtij diskutimi, megjithëse jam politikane, do ta përmblidhja ndërhyrjen time në tri nivele: klima e biznesit në përgjithësi, roli që profesionistët e lirë mund të luajnë në procesin ligjvënës dhe roli i tyre në procesin e integrimit.
Besoj se ka shumë punë që mund të bëjmë së bashku.
Ashtu siç po bashkëpunojmë edhe me organizatën që përfaqëson prodhimin shqiptar, edhe Parlamentin mund ta përdorim për të bërë mirë. Ai jo gjithmonë reflekton siç duhet, por, të paktën, së bashku mund të sjellim një qasje dhe një prirje ndryshe.
