Jalen Duren ka rënë dakord për një kontratë pesëvjeçare, me vlerë 200 milionë dollarë dhe tërësisht të garantuar, për të vijuar karrierën te Detroit Pistons. Lajmin e bëri të ditur agjenti i tij, Chafie Fields, për “ESPN”.

Basketbollisti 22-vjeçar, i cili nuk u paraqit as në grumbullimin parasezonal dhe as në “Media Day” të Pistons, i ka dhënë fund kështu një mosmarrëveshjeje për kontratën që zgjati rreth katër muaj. Duren ishte në garë për një kontratë maksimale pesëvjeçare, me vlerë deri në 287 milionë dollarë. Duren, i cili ishte agjent i lirë i kufizuar dhe u përzgjodh në “All-Star 2026”, kishte refuzuar vetëm dy javë më parë ofertën e Pistons prej 200 milionë dollarësh për pesë vjet.

Nëse nuk do ta kishte pranuar këtë ofertë, Duren do të duhej të kënaqej me një ofertë kualifikuese njëvjeçare prej 9.6 milionë dollarësh. Në këtë rast, verën e ardhshme ai do të bëhej agjent i lirë i pakufizuar. Sipas burimeve të cituara nga Shams Charania në fillim të kësaj jave, përfaqësuesit e Duren kishin bërë të qartë se lojtari ndihej i nënvlerësuar gjatë procesit të negociatave, veçanërisht në krahasim me mënyrën se si skuadra kishte menaxhuar zgjatjen e kontratës së Ausar Thompson.

Thompson kishte firmosur në fillim të muajit një kontratë pesëvjeçare me vlerë 155 milionë dollarë, në përputhje me shkallën e pagave për lojtarët e rinj. Duren, i cili sezonin e kaluar regjistroi mesatarisht 19.5 pikë dhe 10.5 rebound për ndeshje, me një përqindje prej 65% nga fusha, kishte shprehur gjithashtu pakënaqësinë e tij ndaj disa klauzolave që lidhen me peshën trupore dhe që ishin përfshirë në disa prej ofertave të mëparshme të Pistons. Por, tashmë ka pranuar marrëveshjen prej 200 milionë dollarësh për pesë sezone që Detroit Pistons i ofruan dy javë më parë dhe që ai e kishte refuzuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb