Rruga Fier–Seman vijon të jetë në qendër të shqetësimit të banorëve të zonës. Problematika u trajtua në emisionin “Tak Fak” në News 24, pas denoncimit të një qytetari nga Fieri, i cili kërkon ndërhyrje për sigurinë në këtë aks rrugor.
Nexhat Kulla, banor i Fierit, iu drejtua redaksisë së emisionit duke denoncuar mungesën e sinjalistikës paralajmëruese në rrugën Fier–Seman. Sipas tij, gjatë 14 viteve të fundit, në këtë aks janë shënuar 21 viktima.
Mes tyre është edhe djali i tij, Edison Kulla. Me lot në sy, Nexhat Kulla rrëfen për “Tak Fak” momentin e rëndë kur humbi të birin, ndërsa ngre edhe pretendime lidhur me mënyrën se si, sipas tij, policia dhe morgu kanë transportuar trupin e viktimës. Këto janë pretendime të tij, të cilat kërkojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse.
Kulla tregon se disa muaj para tragjedisë kishte publikuar edhe një video ku ngrinte shqetësimin për gjendjen e rrugës dhe u kërkonte institucioneve të ndërhynin.
Ai thotë se nuk kërkon dëmshpërblim, por një ndërhyrje konkrete për ta bërë rrugën më të sigurt për drejtuesit e mjeteve dhe banorët që e përdorin çdo ditë.
Gjatë verifikimit në terren, u konstatua edhe një tabelë “STOP” e varur në një shtyllë tensioni. Në të njëjtën shtyllë ishte vizatuar me bojë edhe një shigjetë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e vendosjes së sinjalistikës në këtë segment rrugor.
Për banorët, shqetësimi mbetet i njëjtë: ndërhyrje dhe sinjalistikë e qartë për të shmangur aksidentet dhe për të rritur sigurinë në rrugën Fier–Seman.
“Tak Fak” solli këtë denoncim në vëmendjen e publikut, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të marrin masa për problematikën e ngritur nga banorët.
