Një festë në natyrë me më shumë se 1 mijë pjesëmarrës është kthyer në skenën e një sulmi të përgjakshëm në Xhorxhia të Shteteve të Bashkuara, ku dy të rinj humbën jetën dhe dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur.
Të shtënat ndodhën në qytetin Vienna, në qarkun Dooly. Sipas Byrosë së Hetimeve të Xhorxhias, alarmi u dha rreth orës 01:25, në një kohë kur forcat e policisë ndodheshin në zonë për të monitoruar turmën e madhe të mbledhur për festën.
Dy të rinj, përkatësisht 20 dhe 23 vjeç, humbën jetën si pasojë e të shtënave. Mjeku ligjor i qarkut Dooly, Brett Walls, konfirmoi viktimat, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike. Familjarët janë njoftuar për ngjarjen.
Përmasat e sulmit rezultojnë të jenë të mëdha. Deri më tani, të paktën 25 persona janë transportuar në spitale për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë që numri i përgjithshëm i të plagosurve të arrijë në 35.
BREAKING: At least 2 dead, multiple others injured in a mass shooting at a Homecoming event in Vienna, Georgia, on Sunday, Oct. 4, 2026, according to local reports. The exact number of injured has not been confirmed. https://t.co/rgpFa26FxU
— HINT News (@9415st) October 4, 2026
Sherifi i qarkut Dooly, Craig Peavy, bëri të ditur se të shtënat janë regjistruar në të paktën dy vende të ndryshme, rreth një bllok larg njëri-tjetrit. Sipas tij, rreth 50 persona ndodheshin në zonën ku u hap zjarr.
Ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një autor të vetëm apo nëse në sulm janë përfshirë disa persona. Po ashtu, motivet që çuan në të shtënat mbeten të panjohura.
Byroja e Hetimeve të Xhorxhias është përfshirë në hetime së bashku me autoritetet lokale. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes, të përcaktojnë nga sa persona është qëlluar dhe të identifikojnë përgjegjësit.
Zona është vendosur nën hetim, ndërsa autoritetet pritet të japin detaje të tjera në vijim për një nga incidentet më të rënda të regjistruara gjatë fundjavës në këtë shtet amerikan.
