Protestat e nxënësve në Francë janë përshkallëzuar, duke detyruar autoritetet të pezullojnë plotësisht ose pjesërisht mësimin në 400 deri në 500 shkolla të mesme. Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se situata e sigurisë nuk i lejon institucionet të funksionojnë normalisht në një pjesë të madhe të vendit.
Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, tha se numri i shkollave të prekura pritet të jetë i ngjashëm me atë të së premtes, kur mësimi u pezullua në 400 deri në 500 institucione. Sipas tij, rikthimi në mësim do të bëhet gradualisht dhe pjesërisht aty ku kushtet e sigurisë e lejojnë.
Situata është përkeqësuar gjatë ditëve të fundit, me protesta në qytete të ndryshme, bllokime të shkollave, djegie të kazanëve të mbeturinave dhe përplasje mes nxënësve dhe policisë. Në disa raste janë dëmtuar edhe ndërtesa shkollore dhe hapësira publike.
Nga 735 shkolla të prekura nga protestat, 24 janë “djegur ose vandalizuar”, sipas ministrit Geffray. Ndërkohë, 78 punonjës të arsimit janë plagosur që nga fillimi i protestave.
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se trazirat kanë çuar në më shumë se 5 mijë arrestime që nga fillimi i javës së kaluar. Policia ka përdorur gaz lotsjellës, shkopinj dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmave në rastet kur protestat kanë kaluar në dhunë.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, ka mbrojtur veprimet e forcave të sigurisë dhe ka mohuar se reagimi i policisë ka qenë joproporcional.
Sipas tij, policia nuk po “shtyp të rinjtë”, por po mbron nxënësit që dëshirojnë t’i paraqesin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore. Ai paralajmëroi ndërhyrje të shpejta dhe të forta ndaj akteve të dhunës, dëmtimeve dhe vandalizmit.
Nuñez ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se policia po synon në mënyrë të veçantë të rinjtë nga lagjet e varfra, duke e cilësuar këtë si një interpretim të shkëputur nga realiteti.
Lëvizja nisi rreth dy javë më parë në shkollën e mesme Saint-Exupéry në Créteil, në periferi të Parisit, fillimisht në mbështetje të mësuesve që protestonin për mungesën e stafit dhe burimeve.
