Të dhënat e para të rikuperuara nga telefoni celular i mjekes Ioanna Gaka, e cila kreu plazmaferezën te këngëtari Giorgos Mazonakis, kanë nxjerrë në pah elementë që tashmë janë pjesë e hetimit. Sipas të dhënave të raportuara nga mediat greke, në telefon janë konstatuar fshirje masive të komunikimeve, ndërsa janë gjetur edhe kërkime të fokusuara te përdorimi dhe efektet e substancave anestetike si propofoli dhe midazolami.
Sipas raportit të Drejtorisë së Hetimeve Penale, pas largimit të Mazonakis nga klinika, mjekja dyshohet se ka fshirë telefonatat dhe mesazhet që kishte shkëmbyer me këngëtarin, si para ashtu edhe pas incidentit. Po ashtu, sipas të njëjtit raport, janë fshirë edhe komunikimet me një hipnoterapiste.
Me interes për hetuesit janë edhe kërkimet e gjetura në telefon. Sipas raportimeve, mjekja kishte kërkuar informacione për mënyrat e rikthimit të një personi nga dehja, ndërsa në kërkimet e saj shfaqeshin edhe pyetje mbi propofolin dhe përdorimin e tij në kombinim me midazolamin.
Në mënyrë të veçantë, kërkimet lidhen me efektet anësore të këtyre substancave dhe nëse ato mund të shkaktojnë ulje të tensionit të gjakut. Po ashtu, në telefon është gjetur një kërkim nëse propofoli mund të gjendet në formë tabletash. Element tjetër i përfshirë në hetim është komunikimi i brendshëm mes punonjësve të klinikës. Në një bisedë në grup, punonjësit kanë diskutuar për gjendjen e Mazonakis, duke përmendur se këngëtarit i ishte administruar një substancë anestezike dhe se kjo ishte shoqëruar me rënie të ndjeshme të tensionit të gjakut, çka kishte bërë të nevojshme thirrjen e urgjencës.
Ndërkohë, autoritetet greke po hetojnë edhe rrethanat se si substancat e gjetura kanë përfunduar në klinikë dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Çështja vijon të jetë nën hetim dhe të dhënat e rikuperuara nga telefoni janë tashmë në duart e hetuesit që po shqyrton rastin.
