Pas aventurës te Napoli, Antonio Conte ka nisur të mendojë për të ardhmen dhe, në një intervistë për The Athletic, ka zbuluar identikitin e klubit ku do të dëshironte të rikthehej në pankinë.
Trajneri italian kërkon një klub me histori të madhe, trofe dhe ambicie, por që aktualisht ka humbur disi shkëlqimin e së kaluarës. Conte dëshiron të rikthejë te këto skuadra mentalitetin fitues dhe bindjen se objektivi duhet të jetë gjithmonë lufta për tituj.
“Duhet të jesh në një klub ku ekziston presioni për të fituar, jo thjesht për të marrë pjesë”, theksoi Conte, duke lënë të kuptohet se profili i tij mund të përshtatet me disa prej gjigantëve europianë që prej vitesh kërkojnë rikthimin te suksesi.
Duke kujtuar eksperiencën te Chelsea dhe Tottenham, italiani nënvizoi se fitoret kërkojnë punë, sakrificë dhe mbi të gjitha mentalitet. Ai kritikoi qasjen dorëzuese që mund të krijohet në një klub kur pranohet ideja se “nuk do të fitojmë kurrë”.
Në vizionin e Contes, trajneri duhet të jetë në qendër të projektit sportiv, me autoritet për të përcaktuar drejtimin dhe vizionin e skuadrës. Ai mori si shembuj Artetën, Kloppin dhe Guardiolën, ndërsa përmendi edhe Cesc Fàbregas te Como.
Në fund, Conte solli si shembull PSG-në me Mbappé, Messin dhe Neymarin, duke theksuar se edhe prania e yjeve më të mëdhenj nuk garanton trofe. Për të, suksesi kërkon mbi të gjitha ekuilibër, bashkëpunim dhe një mentalitet të përbashkët fitues.
