Psikiatri dhe neurologu amerikan Karl Deisseroth dhe kolegët e tij gjermanë Peter Hegemann dhe Georg Nagel janë vlerësuar me Çmimin Nobel të këtij viti në Fiziologji ose Mjekësi për punën e tyre në fushën e optogjenetikës.
Hulumtimi i tyre i ka ndihmuar shkencëtarët të mësojnë më shumë rreth funksionimit të mendjes, për të kuptuar më mirë se si funksionon truri i njeriut.
Komiteti i Nobelit vlerësoi treshen për hedhjen e themeleve të një epoke të re në neuroshkencë dhe zbulimin e qarqeve nervore që fshihen pas “kujtimeve, ndjenjave dhe sjelljeve specifike relevante për çrregullimet neurologjike dhe psikiatrike”.
Në mjekësinë klinike, studiuesit po e përdorin metodën për të provuar të rikthejnë shikimin tek njerëzit me dëmtime të shikimit.
“Optogjenetika ka ndryshuar rrënjësisht kuptimin tonë për trurin”, tha Asambleja e Çmimit Nobel.
“Çdo ditë sjell zbulime të reja, duke ndihmuar në zgjidhjen e njërit prej mistereve të mëdha të njerëzimit: si funksionon truri ynë i jashtëzakonshëm.”
Fituesit thanë se ishte “absolutisht e mrekullueshme” të merrnin çmimin dhe se ishte një nder ta ndanin këtë çmim me miqtë.
Të tre burrat do të ndajnë gjithashtu çmimin prej 900,000 £ (12 milionë korona suedeze).
Optogjenetikë
Per Svenningsson, kryetar i Komitetit të Nobelit për Fiziologji ose Mjekësi, shpjegoi: “Optogjenetika ofron mundësi për hartëzimin e trurit në një mënyrë që dikur vetëm mund ta ëndërronim.”
Më parë, funksionet e brendshme që fshihen pas ndjenjave, sjelljeve dhe funksioneve trupore ishin më shumë një mister për shkencëtarët.
Optogjenetika është një mënyrë për të ndriçuar rrugët e trurit, duke përdorur një proteinë të veçantë të huazuar nga algat që shkencëtarët e përdorin për të kontrolluar aktivitetin elektrik të qelizave duke përdorur dritën.
Në filli të viteve 2000, Hegemann dhe Nagel zbuluan kanalordopsinën, proteinën e algave me veti unike.
Që atëherë, studiuesit kanë qenë në gjendje të studiojnë qelizat nervore dhe shtigjet për të parë dhe zbuluar shumë më tepër rreth asaj që bëjnë ato.
