Pozicione artistike që eksplorojnë çështjet e gjinisë, identitetit, pushtetit dhe pjesëmarrjes sociale vijnë në ekspozitën e çelur në galerinë Zeta, “Ne duhet të jemi të gjithë feministë”. Kuruar nga Sabine Fellner dhe me asistencën e Laurenz Fellner, 15 artistë shqiptarë dhe të huaj, kanë ndërtuar vepra përmes të cilave shpërfaqin perceptimet dhe idetë e tyre mbi temën.
Elisa Andessner, Stella Bach, Julia Bugram, Katharina Cibulka, Bianca Ion, Lori Lako, Claudia Larcher, Lea Liebl, Anita Münz, Matilda Odobashi, Florentina Pakosta, Monika Pichler, Margot Pilz, Gabrieleöney, Ness Rubeyne vijnë në një reflektim artistik mbi pabarazitë strukturore që vazhdojnë të formësojnë dhe kufizojnë thellësisht realitetet e jetuara të njerëzve dhe na inkurajon të vendosim barazinë sociale si një qëllim thelbësor. Titulli i ekspozitës bazohet në esenë e Chimamanda Ngozi Adichie, e cila mbron një përkufizim bashkëkohor të feminizmit si një aspiratë dhe synim për të gjithë.
Kuratorja thotë se Adichie, mbrojti një botë më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjinia dhe identiteti kulturor.
“Ishte një manifest feminist që shkoi nëpër botë dhe premtoi shpresë të madhe për zhvillimin e vazhdueshëm të barazisë. Më shumë se dhjetë vjet më vonë, në vitin 2026, duket se po përjetojmë një reagim ndërkombëtar. Edhe pse është arritur shumë për sa i përket barazisë ligjore për gratë, realiteti i jetës është i ndryshëm:, thotë Sabine Fellner.
Tendencat ndërkombëtare të tregtisë, si dhe diskutimet për shtesat e qëndrimit në shtëpi, përhapin një botëkuptim të prapambetur dhe kështu kundërshtojnë barazinë aktuale gjinore thotë Fellner, në Austri, një në tre gra aktualisht përjeton dhunë dhe numri i femicideve është jashtëzakonisht i lartë në krahasim me mesataren e BE-së. Ajo thekson se gjinia ende ndikon në pozitën sociale, burimet, të drejtat, interesat ekonomike dhe perspektivat.
Pyetja që shtron ekspozita, është se ku qëndrojmë gjysmë shekulli pasi gratë vunë në pikëpyetje rrënjësisht mekanizmat e pushtetit në shoqëri dhe marrëdhëniet gjinore?
