Integriteti, profesionalizmi dhe pavarësia e gjyqësorit janë sfidat kryesore për brezin e ri të magjistratëve.
Në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Shkollën e Magjistraturës, Presidenti Bajram Begaj tha se ata që hyjnë sot në sistemin e drejtësisë kanë një përgjegjësi historike për konsolidimin e reformës në drejtësi dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve.
“Brezi juaj ka një përparësi historike: ju po hyni në sistemin e drejtësisë që reforma ndërtoi. Ju, me integritetin dhe profesionalizmin tuaj, do të bëni që ky sistem të funksionojë me efektivitet.”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit vlerësoi se reforma në drejtësi ka hyrë tashmë në fazën e rezultateve konkrete, duke veçuar përfundimin e procesit të vetingut dhe konsolidimin e institucioneve të reja. Sipas tij, hetimi dhe gjykimi i personave me pushtet politik, ekonomik apo shoqëror tashmë janë bërë pjesë e një realiteti të ri në luftën kundër pandëshkueshmërisë.
Në fokus, sipas Presidentit, mbetet edhe pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të shoqërohet me vendimmarrje cilësore, por edhe në kohë, veçanërisht në kushtet e procesit të integrimit evropian.“Pavarësia e drejtësisë nënkupton një pushtet të pavarur nga pushtetet e tjera, një drejtësi të pandikuar nga çdo interes, një drejtësi që i nënshtrohet vetëm ligjit dhe askujt tjetër”, tha Begaj.
Presidenti iu kërkoi magjistratëve të rinj ta ushtrojnë detyrën me integritet, kurajë dhe përkushtim, duke e konsideruar besimin e publikut si aset thelbësor të drejtësisë dhe si një detyrim ndaj qytetarëve.
