Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia është “me të drejtë krenare” për ushtarakët që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës, ndërsa ka kërkuar që përvoja e tyre të përfshihet gjithnjë e më shumë në edukimin e brezit të ri.
Duke folur me rastin e Ditës së Mësuesit, Putin tha se pjesëmarrës të luftës tashmë po angazhohen si mentorë të nxënësve dhe adoleshentëve, ndërsa disa prej tyre po punojnë drejtpërdrejt në sistemin arsimor dhe në atë që autoritetet ruse e cilësojnë si “edukim patriotik”.
Sipas presidentit rus, vendi ka arsye të jetë krenar për ta për “trimërinë, guximin dhe kurajën” e treguar gjatë kryerjes së misioneve luftarake.
Por përfshirja e ish-ushtarakëve nuk pritet të kufizohet vetëm te shkollat. Putin foli gjithashtu për programin “Koha e Heronjve”, përmes të cilit pjesëmarrësit në luftë përgatiten për t’u rikthyer në jetën civile dhe për të ndërtuar karriera të reja.
Një pjesë e tyre synohet të përfshihet në politikë dhe administratën publike, ndërsa kandidatët do t’i nënshtrohen trajnimeve të posaçme për marrjen e posteve shtetërore.
Kështu, Moska po synon që një pjesë e ushtarakëve të kthyer nga fronti të integrohen në institucione dhe veçanërisht në strukturat që lidhen me edukimin e brezave të rinj, duke e vendosur përvojën e luftës në Ukrainë edhe në funksion të politikës së saj të edukimit patriotik.
