Një komandant i Hamasit është vrarë në Rripin e Gazës gjatë një operacioni të forcave izraelite. Sipas ushtrisë izraelite, personi i vrarë kishte qenë pjesë e njësisë elitare “Nukba” dhe ishte i përfshirë në sulmin e 7 tetorit 2023, kur militantët e Hamasit hynë në territorin e Izraelit.
Autoritetet ushtarake izraelite pretendojnë se komandanti po përgatitej për kryerjen e operacioneve të reja kundër forcave dhe civilëve izraelitë. Sipas tyre, ai ishte gjithashtu i angazhuar në përpjekjet për të rikthyer kapacitetet operative të Hamasit në Gaza.
Sulmi i 7 tetorit 2023 la rreth 1,200 persona të vrarë në Izrael, ndërsa 251 të tjerë u rrëmbyen dhe u dërguan në Rripin e Gazës. Izraeli e ka konsideruar vrasjen e komandantit si pjesë të operacioneve për të parandaluar sulme të tjera.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të hënën se Hamasi nuk do të lejohet të qeverisë Gazën. Ai paralajmëroi gjithashtu personat që kanë marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit, duke thënë se Izraeli do të vazhdojë t’i ndjekë.
“Ne do t’i kapim ata, siç kemi kapur të tjerët”, deklaroi Netanyahu, sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit izraelit.
