Caleb Flynn, 40 vjeç, ish-pastor dhe konkurrent i “American Idol” nga Ohajo, është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, pasi u shpall fajtor për vrasjen e gruas së tij, Ashley Flynn. Ashley, 37 vjeçe, mësuese dhe trajnere volejbolli, u vra në shkurt të vitit 2026 në banesën e familjes në Tipp City. Pas ngjarjes, Caleb telefonoi 911 dhe pretendoi se një person i panjohur kishte hyrë me forcë në shtëpi dhe kishte qëlluar gruan e tij, ndërsa ai ndodhej në një dhomë tjetër.
Prokuroria argumentoi se Flynn kishte tentuar të inskenonte një grabitje me thyerje, në mënyrë që vrasja t’i atribuohej një personi të jashtëm. Juria nuk e pranoi versionin e tij dhe e shpalli fajtor edhe për tetë akuza të tjera, mes tyre vrasje të rënduar dhe manipulim të provave. Gjatë dhënies së dënimit, gjyqtarja Janine Pratt tha se Flynn kishte përdorur besimin e tij të krishterë për të manipuluar njerëzit dhe se nuk kishte treguar pendesë për veprimet e tij. Ajo e përshkroi rastin si një seri mashtrimesh dhe manipulimesh.
Gjatë gjyqit u zbulua se Flynn kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një 22-vjeçare, Aleiga Bottner, të cilën e kishte njohur në kishën ku ishte aktiv. Prokurorët paraqitën rreth 100 mijë mesazhe të shkëmbyera mes tyre dhe argumentuan se lidhja ishte një prej faktorëve që çuan në vrasje. Në disa prej mesazheve, Flynn kishte shprehur dëshirën që gruaja e tij të largohej nga jeta e tij dhe kishte diskutuar edhe mënyra për ta vrarë pa përfunduar në burg. Natën para vrasjes, ai i kishte shkruar të dashurës: “Unë të zgjedh ty. Jam i lirë.”. Provat e paraqitura në gjykatë përfshinin gjithashtu të dhëna nga iPhone dhe Apple Watch i Flynn, si dhe pamje nga kamerat e trupit të policëve. Sipas prokurorisë, këto të dhëna kundërshtonin pretendimin e tij se kishte qenë në gjumë në momentin kur Ashley u qëllua.
Caleb Flynn, a former "American Idol" contestant and pastor who was convicted last week of murdering his wife, a crime he tried to blame on an intruder breaking into their home, was sentenced to life without the possibility of parole Monday in Ohio.
Flynn did not take the stand in his defense during the trial, but he proclaimed his innocence in the killing of his wife, Ashley, before he was sentenced.
— CBS News (@CBSNews) October 6, 2026
Arma e përdorur në vrasje nuk u gjet kurrë. Sipas policisë, Flynn e mbante armën në konsolën qendrore të kamionit të tij, por kur autoritetet kontrolluan automjetin, konsola ishte e hapur dhe arma mungonte. Para dhënies së dënimit, Flynn kërkoi falje për vendimet e tij dhe iu drejtua dy vajzave të çiftit, 9 dhe 11 vjeçe, të cilat ndodheshin në shtëpi kur nëna e tyre u vra. Ai i tha vajzave se ishin “gëzimi më i madh” i jetës së tij, ndërsa e përshkroi Ashley-n si një nënë të mrekullueshme. Megjithatë, edhe në deklaratën e tij të fundit, Flynn këmbënguli se nuk e kishte vrarë gruan.
“Ndërsa qëndroj këtu para Zotit, i cili është gjykatësi im përfundimtar, nuk gënjej kur them se nuk e vrava gruan time”, deklaroi ai. Një letër e shkruar nga vajza e tij 9-vjeçare, Ava, u lexua në sallën e gjyqit. “Mami ishte personi perfekt. Çfarë të ka bërë ajo që e urreve kaq shumë?”, shkroi vajza. Vajza tjetër, 11-vjeçarja Alyssa, iu drejtua të atit duke e quajtur “Caleb”, në vend të “Babi”, dhe i kërkoi të pranonte publikisht atë që kishte bërë dhe të përballej me pasojat. Familjarët e Ashley-t kërkuan një dënim të ashpër, por thanë se e kishin falur Flynn-in, duke theksuar se nuk dëshironin që kujtimi i vajzës së tyre të lidhej me urrejtjen. Avokati i Flynn, Patrick Mulligan, ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar paramendimin dhe se pabesia nuk mund të konsiderohet provë e vrasjes.
Rasti ka sjellë krahasime me vrasjen e Caroline Crouch në Greqi, ku bashkëshorti i saj, Babis Anagnostopoulos, vrau gruan brenda banesës dhe më pas tentoi të inskenonte një grabitje, duke pretenduar se persona të panjohur kishin hyrë në shtëpi. Edhe në atë rast, versioni i bashkëshortit u rrëzua nga provat dhe ai u dënua me burgim të përjetshëm.
