Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar ndaj propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar qasjen e deritanishme si jo serioze.

Në një konferencë për media, Hamza tha se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk i takon vetëm PDK-së, pasi lidhet me historinë dhe të ardhmen e Kosovës. Sipas tij, kjo çështje po tentohet të kthehet në një pazar politik të minutave të fundit.

Hamza theksoi se bëhet fjalë për luftën e UÇK-së dhe viktimat e luftës, duke nënvizuar se UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike. Ai akuzoi Kurtin se po tenton ta përdorë ligjin si mjet presioni për të arritur një qëllim politik.

Sipas kreut të PDK-së, synimi i Vetëvendosjes dhe Kurtit është zgjedhja e një Presidenti politik dhe përmbyllja e asaj që ai e cilësoi si “kapjen e institucioneve të shtetit”.

“Adresa është Lëvizja Vetëvendosje dhe z. Kurti. Nuk mund të imponosh dhe nuk pranojmë që UÇK-ja të bëhet objekt i transaksionit për pozicion, çfarëdo qoftë ai”, deklaroi Hamza.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: